A po shpërbëhet Evropa?

Nga Michel Hirsh

Një gjë mund të thuhet me siguri:Qendra e politikës po reziston. Të paktën tani për tani, Brukseli është duke qëndruar i fortë. Tek e fundit, kjo s’mund të thuhet gjithmonë për Evropën, ku kaq rrallë në histori ka pasur një qendër të fortë. Por këtë herë, fajkojtë mund të dëgjojnë me siguri liderin e tyre.

Fajkojtë në këtë rast janë 2 vende të mëdha:Mbretëria e Bashkuar dhe Italia. I pari dëshiron të largohet nga Bashkimi Europian pa dhimbje, ndërsa i dyti thjesht dëshiron të prishë rregullat e saj – gjithashtu pa dhimbje. Si të ishin një ekip, Britania dhe Italia kanë qenë ‘tregtarët’ kryesorë të krizës ditë pas dite, ndërsa burokratët e zhgënjyer të Brukselit ruajnë territorin e tyre.

Në fund të kësaj jave ishte radha e Londrës, teksa qeveria konservatore e kryeministres Tereza Mej u rebelua mbi propozimin e saj të Brexit, dhe ku si konservatorët ashtu edhe laburistët e hodhën poshtë atë si tepër besnike ndaj rregullave të BE.

Pas një takimi 5 orësh të qeverisë, që pasoi 2 vite bisedime të rregullta me Brukselin, 4 ministra të profilit të lartë duke përfshirë sekretarin e Brexit, Dominik Rab u larguan nga kabineti të enjten, dhe ekspertët kanë shprehur dyshime nëse Mej mund t’ia dalë të miratojë marrëveshjen në parlamentit, apo edhe nëse do të mbijetojë vetë politikisht.

Ai që priste në qoshe ishte versioni britanik i Presidentit të SHBA, Donald Trump (megjithëse shumë më i zellshëm), deputeti Boris Xhonson, një nacionalist pasionant dhe mbështetës i Brexit, që dha dorëheqjen si sekretar i Jashtëm korrikun e kaluar, duke pohuar në letrën e tij të dorëheqjes, se Britania e Madhe po shkonte drejt marrjes së “statusit të një kolonie”, nëse do të

miratohen planet e kompromisit të Mej mbi Brexit.

Ashtu si shumica e kritikëve të zonjës Mej, Xhonson nuk ka ofruar asnjë plan alternativ. E megjithatë, pavarësisht zotimit të kryeministres të enjten për të luftuar për miratimin e marrëveshjes së saj “me çdo fibër të qenies sime”, ka spekulime të shumta se Xhonson mund të zërë vendin e saj në krye te qeverisë.

Nëse kjo ndodh, pothuajse me siguri do të ketë një dalje “të ashpër” nga BE, që mund të zhysë në kaos ekonominë britanike. Tashmë vlera e paundit britanik po bie ndjeshëm. Më poshtë në jug, qeveria italiane po ushtron presion për të pasur të drejtën e shpenzimeve më të mëdha në raport me deficitin, për të cilën Komisioni Europian tha se nuk është i lejueshëm, pasi do të shkelte rregullat e ngurta të parashikuara në Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes së BE.

Zyrtarët e Komisionit, refuzuan projektbuxhetin e Italisë, pasi ai rrit deficitin buxhetor në 2.4 për qind, ndërsa borxhi qeveritar i Italisë është më shumë se dyfishi i kufirit të eurozonës prej 60 për qind. Nëpërmjet një reagimi të martën, qeveria populiste e Italisë, bëri disa rregullime të vogla, dhe më pas sfidoi Brukselin që ta gjobisë.

I pyetur javën e shkuar nëse mund të gjendet një kompromis, Komisioneri i Ekonomisë së BE Pier Moskovici u përgjigj:”Jo ne nuk jemi në negociata. Rregullat janë rregulla!”. Kjo është natyrisht një pozitë mjaft e mirë e uljes në një tryezë për një negocim.

Italia mund të vuajë tashmë ndëshkimet e para të vendosura ndonjëherë sipas rregullave të buxhetit, duke vënë në rrezik gjithë atë borxh italian, dhe integritetin e eurozonës në krizë, në një kohë kur Italia ka borxhin e katërt më të madh në botë.

Fatmirësisht, Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Mario Dragi është italian, dhe ka dëshmuar në të kaluarën se ai është i gatshëm të blejë shumë borxhe. Sipas Harold James, historian i Universitetit Prinston në SHBA, por që është i specializuar mbi Evropën, që të dyja rastet, Italia dhe Britania e Madhe, tregojnë në fakt se është se sa absolutisht e pamundur është që të përpiqesh të lësh BE-në”. “Dhe çfarë gjëra të këqija do të ndodhin, nëse dikush përpiqet ta bëjë këtë”- thekson ai.

Pra, ndoshta këto shpërthime nacionaliste, nuk duhet të jenë shumë shqetësuese për botën e jashtme, përveç faktit që kjo po ndodh në kohën e një ngadalësimi të rritjes ekonomike, dhe të populizmit të krahut të djathtë, që mund të shkaktojë fragmentimin e mëtejshëm politik të unionit.

Kjo është veçanërisht e vërtetë për ekonominë më të madhe të Evropës, Gjermaninë, ku ishte plani i mëhershëm i shpëtimit të BE-së për Greqinë, e nxitur nga kancelarja Angela Merkel, ai që e shndërroi në një lojtar të madh alternativën e ekstremit të djathtë në Gjermani.

Sipas komentatorit gjerman Stefan Rihter, qëndrimi në Berlin tani është “nëse Britania dhe Italia dëshirojnë të kryejnë vetëvrasje, ne s’mund t’i ndalojmë ato”. Dhe kjo po ndodh në një kohë kur forcat e ripërtërira të së djathtës janë duke u rritur, ndërsa partitë tradicionale po braktisin skenën politike.

Deri tani e djathta ekstreme në pushtet, ishte e kufizuar kryesisht në vendet e Evropës Lindore si Polonia dhe Hungaria. Kjo nuk është më e vërtetë:gjysma e qeverisë së koalicionit në Itali është e Lidhjes së ekstremit të djathtë, anti-emigracion. Të moderuarit, për dallim, janë të lodhur. Merkel njoftoi së fundmi se po largohet si drejtuese e partisë kryesore qeverisëse në Gjermani, në Britani Mej është gati e rrëzuar, dhe në Francë presidenti Emanuel Makron, i cili pas zgjedhjeve të 2017-ës u pa si centristi liberal i Evropës që do t’i kundërvihej Trumpit, është thellësisht jopopullor, ndërsa rivalja e tij e të djathtës ekstreme, Marin Lë Pen, po rritet sërish në sondazhe.

Dhe sigurisht, Donald Trump e do atë, dhe e inkurajon hapur. Duke folur në Paris javën e kaluar në një ceremoni përkujtimore me rastin e 100 vjetorit të fundit të Luftës së Parë Botërore, Makron kritikoi tërthorazi deklaratën krenare të Trump se ai është një “nacionalist”, duke thënë: “Nacionalizmi është tradhti e patriotizmit”. Ndërkohë Trump u bëri thirrje forcave politike franceze të krahut të djathtë të mposhtin udhëheqësin aktual të Francës.

“Problemi është se Emanuel Makron, vuan nga një popullaritet shumë i ulët në Francë, 26 për qind, dhe një normë papunësie prej pothuajse 10 për qind”- shkroi Trump në Twitter. “Meqë ra fjala, nuk ka vend më nacionalist se sa Franca, njerëz shumë krenarë, dhe me plot të drejtë”.

Gjatë fushatës së saj të dështuar presidenciale në vitin 2017, Marin Lë Pen e përshkroi zgjedhjen e Trump si “një gur shtesë në ndërtimin e një bote të re”. Ose një grumbull i madh rrënojash. Vetëm muajt e ardhshëm do të tregojnë këtë./ Bota.al

Të ngjashme

More in IDE
Kryeministri i të pasurve po përballet me revoltën e të varfërve

Nga Andi Bushati Edi Rama i është përgjigjur me një mendësi prej matrapazi, njërës prej protestave më xhenuine, më inteligjente...

Close