Koreja e Veriut, regjimi ka frikë nga një kryengritje e brendshme?

Nga Marco Zappa

Për disa arsye, regjimi i Koresë së Veriut i udhëhequr nga Kim Jong-un ndihet i rrezikuar. I rrethuar jo vetëm nga jashtë – me Shtetet e Bashkuara, që duken pak të gatshme të lehtësojnë sanksionet ndaj Phenianit, pavarësisht samiteve dhe gjesteve të vullnetit të mirë – por edhe nga brenda vendit.

Kjo ndjenjë del në pah në një editorial të kohëve të fundit, në gazetën zyrtare të regjimit të Koresë së Veriut, “Sinmun Rodong”, që ditët e fundit, ka bërë një apel ndaj zyrtarëve të partisë se vetme në qeverisje, i cili tingëllon si një thirrje për unitet.

“Zyrtarët e partisë, duhet të sillen gjithnjë në mënyrë etike, duke u përballur me njerëzit e zakonshëm, dhe duke ndarë gëzimet dhe shqetësimet e tyre me ta”- shkruhet në editorial, sipas agjencisë koreano-jugore të lajmeve, Yonhap. “Nuk duhet të ketë kurrë shqetësime për veten, formalitetin, shkëmbimin e ndikimeve, burokracinë dhe dëshirën për privilegje dhe trajtim të favorizuar”.

Pastaj në një moment, editoriali i paralajmëron lexuesit mbi rrezikun e kulturës ideologjike borgjeze”, dhe “tendencave të pazakonta”, që ashtu si filtrimet e bezdisshme të ujit, rrezikojnë të kompromentojnë vlerat socialiste. “Të gjitha vlerat jo-socialiste ose anti-socialiste, duhet të luftohen”- është paralajmërimi i organit të partisë.

Të dhënat që zotërojmë janë shumë të pakta, për të thënë se gjendemi vërtet në prag të një kryengritjeje popullore, ose në një masë më të vogël, të një revolt brenda Partisë së Punëtorëve. Vitet e fundit, shumë njerëz që i kanë mohuar përherë faktet, janë nxitur të flasin për rënien e menjëhershme të Koresë së Veriut, mes tyre edhe ish-biznesmeni dhe dezertori koreano-verior Ri Jong-ho vitin e kaluar.

Megjithatë, është e qartë që regjimi i Kim ndjen nevojën për të forcuar rradhët e kohezionit social. Veçanërisht që nga prilli i kaluar, Kim Jong-un premtoi që pasi të arrihet një zhvillim i kënaqshëm ushtarak bërthamor, politikat e qeverisë do të përqendrohen më tepër në rritjen ekonomike të vendit.

Këtë e tregon edhe një tur i kohëve të fundit nëpër fabrika, qendrat e prodhimit bujqësor dhe zonat turistike, gjatë të cilit Kim Jong-un inaguroi një sezon të ri të direktivave në terren, për t’i treguar punëtorëve dhe kuadrove cila është rruga e partisë në drejtim të zhvillimit të vendit.

Gjatë këtyre vizitave, udhëheqësi i ri nuk kurseu kritikat dhe sulmet ndaj zyrtarëve të moshuar, që e kishin humbur shpirtin e tyre revolucionar.

Në një vizitë të fundit në një fabrikë që prodhon ushqim të konservuar, në afërsi të qytetit bregdetar të Vonsanit, Kim Jong-un sugjeroi ndryshime për të përmirësuar cilësinë e produkteve – për shembull, përmes adoptimit të teknologjive të reja për paketimin dhe sterilizimin, duke reduktuar ndërhyrjen e njeriut – dhe u ka kërkuar zyrtarisht drejtuesve të fabrikës, në atë që megjithatë dukej si një apel për të gjithë drejtuesit e ndërmarrjeve në vend, të përgatiten për t’u përballur me një ambient më konkurrues, të modernizohen dhe reduktojnë humbjet.

Megjithatë, mbetet problemi i sanksioneve ndërkombëtare kundër Phenianit. Edhe hapjet më të fundit në planin diplomatik, duket se shkojnë në drejtim të ringjalljes së ekonomisë së Koresë së Veriut.

Afrimi me Korenë e Jugut, dhe takimet me presidentin kinez Xi Jinping dhe jo më pak, takimet me sekretarin amerikane të Shtetit, Majk Pompeo, duhen analizur në aspektin e një lehtësimi të mundshëm të sanksioneve ndërkombëtare, të vendosura si rezultat i testeve bërthamore të kryera midis viteve 2006- 2017.

Megjithatë, pavarësisht disa hapjeve të fundit nga Seuli, që është duke vlerësuar mundësinë e një lehtësimit të masave kufizuese, veçanërisht në çështjet tregtare, rruga drejt një normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Phenianit dhe komunitetit ndërkombëtar, është e vështirë.

Në mënyrë të veçantë, pasi burimet e inteligjencës të SHBA dhe Koresë së Jugut konfirmojnë se Pheniani është ende i angazhuar në zhvillimin e raketave me rreze të gjatë dhe të armëve bërthamore, pavarësisht premtimeve për de-nuklearizim qershorin e kaluar, në samitin e Singaporit ndërmjet Kim dhe presidentit amerikan Donald Trump.

”Koreja e Veriut, mund të mbështetet vetëm në pushtetin e popullit të vet” -shkroi së fundmi “Rodong Sinmun”. Një pohim që nuk ka qenë kaq shumë tragjikisht i vërtetë.

/Bota.al

More in BLOG
Intervista e Ismail Qemalit në Vjenë (1912): “Ja ç’kërkojmë ne shqiptarët”

Nga Aurenc Bebja Francë – 6 Nëntor 2017 Gazeta franceze, “Journal des Débats Politiques et Littéraires”, ka botuar të martën...

Close