“Pse projekti i Unazës së Re është i gabuar dhe një konflikt i shmangshëm”

Nga PREÇ ZOGAJ dhe INXH. XHEVAHIR NGJEQARI

Protesta e banorëve të Unazës së Re, përveç problematikës së nxitimit të qeverisë për t’i vënë para faktit të kryer në shpërfillje të normave të komunikimit për një çështje jete dhe dinjiteti siç është lënia e banesës së ngritur me mund, po nxjerr në dritë një çështje tjetër me interes shumë të madh publik: koston e zgjerimit të segmentit të Unazës së Re, ku po luhet akti më i freskët i konfliktit social e politik në vend. 40,5 milionë euro për një autostradë 2,34 kilometra.

Shifra 40,5 milionë godet edhe po të bëhej fjalë për ta ndërtuar këtë segment nga zeroja. Aq më shumë godet, po të mbajmë parasysh faktin se aktualisht kjo pjesë e Unazës se Re ka nga tre korsi kalimi dhe një korsi shërbimi në të dy anët e trafikndarëses, pra, gjithsej gjashtë korsi kalimi dhe dy shërbimi. Projekti i ri parashikon shtimin e korsive të kalimit, ndërtimin e mbikalimeve, nënkalimeve dhe korsive të shërbimit që në tërësi do të lehtësojnë trafikun, tashmë të rënduar në atë zonë, por do të përballojnë edhe rritjen në perspektivë të numrit të automjeteve aty. Ky është segmenti ku derdhet pjesa më e madhe e trafikut nga unazat e vogla dhe rrugët e brendshme të Tiranës. Plus trafiku i vetë Unazës së Re. Ndërhyrja me një projekt të ri është në kohë dhe u përgjigjet përparësive që duhet të ndjekin investimet në rrugë. Retorika politike nuk ka asnjë vështirësi ta paraqesë si një domosdoshmëri për sot dhe për nesër. Pengesat diktojnë trajtim me respekt, sipas ligjit dhe me prudencën që duhet të karakterizojë qeverinë kur u prek qytetarëve një gjë jetike e të shenjtë siç është shtëpia. Por pengesat nuk mund të bëhen pengesë për t’u hapur rrugë veprave të tilla publike. Deri këtu askush nuk mendon ndryshe.

Konflikti ka lindur dhe po merr një jehonë dhe një përmasë të gjerë politike e publike për shkak të lidhjes që ekziston midis pretendimeve vetjake të banorëve dhe kostos së ndërtimit të rrugës si interes i gjithë taksapaguesve nga jugu në veri të vendit. Në fakt, duke u ngritur për të drejtat, kërkesat dhe pretendimet e tyre, banorët e prekur nga zgjerimi i Unazës së Re i kanë bërë një shërbim të madh vendit, duke vendosur vetvetiu në qendër të debatit publik çështjen e kostos konkrete të një rrugë konkrete. Shumica e qytetarëve mund të mos jenë dakord me kërkesat për dëmshpërblim njëqind për qind të ndërtesave të palegalizuara, por janë bashkë me protestuesit në të drejtën për të mësuar nga qeveria pse kjo kosto dhe për të protestuar kundër çdo shkeljeje dhe allishverishi që ka nxjerrë një kosto të paargumentuar, abuzive.

Paqartësitë janë të mëdha. E paqartë përllogaritja. E paqartë gara. E paqartë oponenca e projektit. E paqartë pse është porositur gjerësia 53,8 metra. Për të justifikuar kostot abuzive, qeverisjet propagandistike kanë krijuar retorikën e nevojës publike, të interesit qytetar e kombëtar. Kjo është tallëse, cinike, e palejueshme. Një qeveri nuk është e mirë e kombëtare pse vendos të destinojë paratë e buxhetit apo të marrë borxh për të ndërtuar rrugë e vepra publike. Është e mirë kur i hedh paratë aty ku duhen, së pari dhe kur i hedh me nikoqirllëk të madh, duke i numëruar, pa lejuar shpërdorime, korrupsion, abuzime. Qeveria për këtë është: për të administruar me ndershmëri paratë publike. Retorika që justifikon abuzimet është abuzimi më i madh. Retorika, sigurisht, e ka gati përgjigjen për gjerësinë 53,8 metra: “Po ndërtojmë për sot dhe për të ardhmen! Ky është vizioni ynë largpamës”! Nëse fillojmë e diskutojmë në rrafshin e largpamësisë, dikush, me shumë të drejtë, sa për muhabet apo për t’u treguar më largpamës së largpamësit, mund të thotë: “Pse 53,8 e jo 100? Më mirë 100 apo jo”? Por nuk diskutohet kështu kur në mes, përveç parave të gjithë qytetarëve, janë edhe banesat e disave prej tyre. Çdo vendim duhet të mbështetet në studime dhe projekti duhet t’u përmbahet të dhënave studimore. Kush ka llogaritur sa është sot, sa parashikohet të jetë pas njëzet vjetësh apo pas tridhjetë vjetësh numri i automjeteve në Unazën e Re? Në qoftë se qeveria do t’ia nënshtronte këtë projekt një oponence teknike specialistësh të pavarur, me siguri do të merrte të dhëna shumë interesante për këtë zë shumë të rëndësishëm ku mbështetet ndërtimi i rrugëve. Përvoja e Greqis,ë por jo vetëm e saj, sjell shembuj mjaft domethënës se si llogaritja e gabuar e fluksit të makinave (apo llogaritja e gabuar me dashje për përfitime korruptive), ka çuar në ndërtime autostradash që kanë rezultuar një hedhje në pus e parave, që, në fund të fundit, janë gjithmonë të taksapaguesve. Edhe kur merren borxh nga qeveria.

Sot në trasenë e Unazës së Re me tri vija kalimi dhe një korsi shërbimi në një anë të trafikndarëses kalojnë në orët e pikut 4000–5000 mjete në orë. Ato bllokohen ose vonohen nga gërdalla e mbikalimit afër Shkollës Teknologjike, nga semaforët dhe kryesisht nga kryqëzimet të rrethrrotullimi i Shqiponjës. Ndërhyrjet të ky rrethrrotullim janë veprat më funksionale të projektit. Por të kthehemi te numrat. Për kalimin e 9000 mjeteve në orë do të mjaftonte nga ana teknike një gjerësi 31,7 m (pa trotuar), që realizohen me nga 3+1 korsi për secilën anë. Këto janë të afta të përballojnë trafikun pa asnjë pengesë deri në vitet 2050. Treguesit e dimensioneve janë të standardit europian.

Marrja nga qeveria e oponencës profesionale për projektin do të ishte një hap i rëndësishëm për të nxjerrë në pah dritëhijet e tij të shumta, të cilat në lidhjen e tyre na tregojnë një projekt të zmadhuar, të fryrë që nuk justifikohet si investim kështu siç është bërë. Ai ka nevojë të rihartohet dhe me variante të tjera funksionale dhe ekonomike. Përpunimi i gjurmës ekzistuese do të kishte më pak shpronësime, për rrjedhim, një kosto të ulët edhe në këtë aspekt. Qeveria, siç ka për detyrë të bëjë transparencën, që nuk e ka bërë, ka për detyrë të dëgjojë oponencën, që nuk e ka dëgjuar. Por nuk është vonë. Shqipëria ka krijuar precedentë reflektimi. Edhe qeveria e Ramës ka precedentët e saj të reflektimit, të tërheqjes, korrigjimit apo moderimit të një qëndrimi në funksion të një zgjidhjeje më të drejtë e më të mirë. Në këtë kontekst, Kryeministri Rama mund ta riformatojë projektin. Reflektimi nuk është dobësi. Është ndriçim. “Aty ku s’ka reflektim, sundon errësira”, thoshte Gandi.

Reflektimi për koston e këtij segmenti, si problem i gjithë qytetarëve dhe taksapaguesve, hap mundësinë e një zgjidhjeje më të butë të problemeve të vetë banorëve.

Vendimet që dihet se krijojnë konflikte, nuk janë të këshillueshme në këtë periudhë kur vendi po i drejtohet një momenti më rëndësi të veçantë në sfidat tona të shtetformimit dhe shëndoshjes së sistemit politik: pritet ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë. Aq më pak janë të pranueshme kur mbartin pikëpyetje, dyshime për abuzime, shkelje të dukshme ligjore.

Panorama/

More in BLOG, LAJME
Takimi në Bashki/ “S’janë banorë të ‘Astirit’ , por punonjës administrate”, protestuesit të irrituar: Propagandë e mashtrim i Veliajt

Kryebashkiaku Erion Veliaj nga Bashkia Tiranë deklaroi se po zhvillonte një takim pe banorë të “Unazës së Re” për të...

Close