Erion Veliaj, mjeshtri i përçarjes së protestave

“Përça e sundo”. Kjo shprehje që vjen prej Romës së lashtë është një parim që shumë politikanë e kanë jetësuar më së miri edhe në kohët moderne. Një shembull ekzemplar i saj është kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. 38-vjeçari, kryetar i bashkisë së Tiranës e ka perfeksionuar parimin e Jul Çezarit sa herë gjendet përballë vështirësive apo kur kundërshtarët politikë duken se janë në avantazh.

“Përça e sundo”. Disa thonë se këtë logjikë e ndoqi që në nisje të karrierës së tij kur në krye të Lëvizjes “Mjaft” protestonte kundër qeverisë së Fatos Nanos në vitet 2003-2005 i mbështetur në prapaskenë nga Edi Rama që drejtonte levat nga bashkia e kryeqytetit.

Me ardhjen e tij në krye të bashkisë së Tiranës Veliaj do të vihej menjëherë në provë. Çështja më e bujshme do të ishte ndërtimi i një këndi lojërash në parkun e liqenit artificial të Tiranës në shkurt të 2016-ës. Lapsi.al raportoi në disa shkrime të tij se pas këtij këndi fshihej një projekt për të ndërtuar lokale dhe kafene duke hedhur beton në zonën e vetme të gjelbër të mbetur të Tiranës.

Presioni i shoqërisë civile erdhi në rritje ndërsa grupe të tyre protestonin çdo ditë pranë liqenit artificial. Protestat u mbështetën edhe nga Partia Demokratike në opozitë ndërsa nuk munguan edhe përplasjet e dhunshme me forcat e policisë bashkiake që shfrytëzonin natën për të prerë pemët apo hedhur beton. Për shkak të trysnisë dhe presionit në rritje Veliaj u tërhoq nga ndërtimi i qendrës së shërbimit dhe kafeneve, por kjo protestë shënoi edhe aktin e parë të përçarjes së atyre që luftojnë për një kauzë të drejtë.

Eljan Tanini ishte një nga protestuesit më në zë të asaj proteste. I riu ishte një nga ata që ra në sy për zellin e treguar kundër projektit dukshëm abuziv dhe me hije korruptive. Por zëri i tij kundërshtues u shua vetëm pak ditë para inaugurimit të këndit të lojërave. Befas Tanini pësoi një transformim të plotë, duke u bërë palë me kryebashkiakun Veliaj.

Ky i fundit e shpërbleu protestuesin e zellshëm me një çmim nga Bashkia duke miratuar një projekt të vendosjes së një avioni të krijuar nga Tanini në Fushën e Aviacionit. Më pas, po nga bashkia, ai mori aprovimin edhe për ndërtimin e një kioske te liqeni, poshtë këndit të lojërave për të cilin ai protestoi prej ditësh. Ky rast i shërbeu Veliajt për të treguar se si edhe shoqëria civile mund “të blihet”.

Nuk do të vononte dhe sloganin “përça e sundo” Veliaj do ta aplikonte në mënyrë edhe më perfekte në një tjetër kauzë të madhe që artistët e Teatrit Kombëtar ngritën kundër shembjes së godinës historike në qendër të Tiranës. Por ndryshe nga hera e parë, tashmë nuk bëhej fjalë për disa çiliminj që protestonin për parime idilike në mbrojtje të natyrës. Në lojë ishin miliona euro në një projekt ku sërish nuk mungonin lidhjet e pushtetit me biznesin që kur bëhen bashkë janë të gatshëm të shtypin çdo zë kundër.

Këtë herë kundër projektit korruptiv ishin emra të njohur për të gjithë si: Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, Roza dhe Dhimitër Anagnosti, Fadil Kujofsa, Ahmet Pasha, Medi Malkaj, Andon Qesari, Arben Derhemi, Altin Basha, Alfred Trebicka, Arben Dërhemi, Neritan Liçaj, Gulelm Radoja, Maks Velo, etj.

Por ndërsa ditët kalonin, njëri pas tjetrit, emra të rëndësishëm dilnin nga lista e kundërshtarëve. “Gojët e liga” flisnin për oferta “të pista” nën tavolinë, por edhe presione që u bëheshin njerëzve të ekranit. Erion Veliajt që mori flamurin e negociatorit me artistët i erdhi sërish në ndihmë shprehja e famshme romake. Këtë herë vendosi ta godiste protestën e artistëve nga emrat e saj më përfaqësues.

Një darkë me Robert Ndrenikën dhe Mirush Kabashin në restorantin e Hotel Tiranës ku panë edhe një ndeshje të kampionatit Botëror të Rusisë i bindi aktorët e njohur për projektin e Bjarke Ingels. Ndrenika do të firmoste “pro” shembjes në Teatrit duke e vënë në themel “besën e shqiptarit” se toka e teatrit nuk do të prekej duke mbyllur sytë për PPP-të që i kishte kundërshtuar me aq forcë.

Veliaj nuk u ndal me kaq. Menjëherë pak ditë më pas postoi në rrjetet sociale një foto me tre nga zërat më pikantë të protestës: regjisori Altin Basha dhe aktorët Alfred Trebicka dhe Arben Derhemi. Veliaj shpalli me të madhe se ishte arritur marrëveshja me artistët, megjithëse kjo nuk ishte e vërtetë. Fitorja e Veliajt ishte arritja e përçarjes së kundërshtarëve.

Fundi i vitit 2008 e gjen Veliajn në një tjetër përballje. Banorët e Unazës së re kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre të ndërtuara me apo pa leje. Makina e propagandës u vu sërish në lëvizje. U gjetën sërish disa kokrra nga protestuesit që kishin firmosur me vullnet të plotë prishjen e banesave të tyre dhjetravjeçare duke pranuar të jetonin në shtëpitë një dhomë e kuzhinë të banesave sociale të ndërtuara nga Bashkia në Shkozë.

Veliaj dërgoi menjëherë ruspat në zonën e Astirit megjithëse ora shënonte 22.00 dhe një shi i ftohte nëntori sapo kishte filluar. Edhe komenti në Twitter ishte gati ku Velaij përshëndeste gjestin e këtyre banorëve model përballë “shpellarëve” që vazhdojnë e kundërshtojnë projektin. Sërish synimi duket se u arrit. Veliaj u tregoi kryeneçëve se me hir a me pahir projekti i dyshimtë dhe 40 milionësh (euro) i Unazës së Madhe nuk do të kthehet mbrapsht. “Përça e sundo” tinzari i Tiranës! /LAPSI.al

More in BLOG
A është e mundur ngritja e “ushtrisë evropiane” të Emanuel Makronit?

Nga Pierre Haroche Javën e kaluar, në stacionin radiofonik ‘Europe 1’, presidenti francez Emanuel Makron foli për nevojën e krijimit...

Close