A është e mundur ngritja e “ushtrisë evropiane” të Emanuel Makronit?

Nga Pierre Haroche

Javën e kaluar, në stacionin radiofonik ‘Europe 1’, presidenti francez Emanuel Makron foli për nevojën e krijimit të një “ushtrie të vërtetë evropiane”, për të përballuar kërcënimin rus, dhe për të emancipuar Evropën nga varësia e saj nga SHBA-ja.

Presidenti amerikan Donald Trump, e konsideroi “fyes” këtë propozim, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin tha se është një zhvillim “pozitiv”. A ka nisur një debat i ri strategjik? Që nga dështimi i projektit francez për një Komunitet Evropian të Mbrojtjes në vitin 1954, ideja e një ushtrie evropiane, duket të jetë pak më shumë se sa një ëndërr jorealiste.

Ok, nga Makron tek Orban? Ideja e një ushtrie evropiane, përmendet tani nga të gjithë. Megjithëse në përgjithësi përmendet në një mënyrë të paqartë, pa afate apo objektiva specifike, koncepti është cituar rregullisht nga udhëheqës, dhe nga krahë shumë të ndryshme politike. Në vitin 2015, ishte presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker, ai që e hapi debatin duke deklaruar se BE ka nevojë për një ushtri për t’i bërë ballë rrezikut që vjen nga Rusi.

Gjermanët u kujtuan me këtë rast, se koncepti i një ushtrie të tillë, ishte pjesë e programit të tyre të koalicionit qeverisës. Më e papritur ishte mbështetja nga konservatorët dhe euroskeptikët evropiano-lindorë siç janë presidenti çek Milos Zeman dhe kryeministri hungarez Viktor Orban. Në Britaninë e Madhe, ideja e një ushtrie evropiane, u prezantua madje si një perspektivë afatshkurtër gjatë fushatës së Brexit.

Po si mund ta shpjegojmë këtë debat intensiv? Pas sloganeve, motivet ndryshojnë. Për shembull, për Komisionin Evropian, qëllimi ka qenë kryesisht legjitimimi i një inkursioni në fushën e mbrojtjes, që ka ka qenë prej kohësh një fushë ekskluzive e shteteve anëtare. Ky inkursion, filloi kohët e fundit me ngritjen e Fondit Evropian të Mbrojtjes.

Për qeverinë gjermane, synimi ishte të dëshmonte angazhimin e saj për integrimin evropian, nga një perspektivë politike dhe jo ushtarake. Për çekët dhe hungarezët, është më shumë një çështje e shtyrjes së BE-së, drejt militarizimit të kufijve të saj kundër emigrantëve.

Për britanikët që mbështesin largimin e vendit nga BE, përmendja e perspektivës së një ushtrie evropiane, ishte një mënyrë për të distancuar votuesit britnikë nga BE. Sa i përket Makron, ai po kërkon të nënvizojë angazhimin e tij evropian, disa muaj përpara zgjedhjeve të BE, tek të cilat ai po investohet shumë.

Së fundmi, presidentët amerikanë dhe rusë, panë tek ky diskutim mundësinë për t’i kujtuar të gjithëve mosbesimin e Trumpit ndaj aleancave, dhe dëshirën e Putinit për të shkëputur Europën nga SHBA. Fakti që udhëheqësit evokojnë konceptin e një ushtrie evropiane, është gjithashtu simptomë e një evolucioni strategjik.

Përballë kërcënimit rus në lindje, dhe kërcënimit xhihadist në jug, në një kontekst në të cilin SHBA-ja synon të zvogëlojë angazhimin e saj ushtarak dhe të fokusohet tek Kina, evropianët e kuptojnë tani se kanë nevojë më shumë se kurrë për njëri-tjetrin.

E megjithatë, integrimi në fushën e mbrojtjes, përbën një pengesë të madhe. Ndërsa shtetet lindore dhe veriore përqendrohen kryesisht tek kërcënimi rus, vendet e Evropës Jugore, përfshirë Francën, po shohin më tepër drejt Mesdheut dhe Afrikës.

Ukraina apo Republika Qendrore Afrikane?

Kjo dilemë lindje-jug, e ka dëmtuar më shumë se një herë kohezionin e BE-së, ashtu si në vitin 2014 kur vendet e Evropës Lindore, evokuan krizën e Ukrainës, për të refuzuar dërgimin e trupave në misionin e EUFOR që kërkoi Franca në Republikën e Afrikës Qendrore.

Megjithatë, disa shembuj të kohëve të fundit, tregojnë se kjo dilemë gjeostrategjike potencialisht mund të kapërcehet. Pak njerëz komentuan një element kyç të deklaratës së presidentit Makron: ai nuk e justifikonte idenë e një ushtrie evropiane nga nevoja për të ndërhyrë në Afrikë, çka do të ishte qasja tradicionale e Francës.

Përkundrazi, ai përmendi kërcënimin rus, të cilin duhet ta lexojmë si një hap drejt përfshirjes së partnerëve lindorë dhe veriorë të Francës. Duhet gjithashtu të theksohet se Nisma për Ndërhyrje Evropiane, të cilën Franca e ka promovuar kohët e fundit, për të parashikuar dhe planifikuar operacionet e ardhshme ushtarake, përfshin vende si Estonia, dhe së shpejti Finlanda – me fjalë të tjera, thotë se ato nuk janë partnerë natyralë ushtarakë të Francës, dhe se janë shumë më shumë të orientuar nga lindja, sesa ndaj misioneve afrikane.

Ndërkohë në kundërpërgjigje, Estonia, ka dëshmuar qartë gatishmërinë për ta pozicionuar kulturën e saj strategjike më pranë Francës, duke dërguar trupa në Republikën e Afrikës Qendrore dhe më së fundi në Mali, si pjesë e Operacionit “Barkhane”.

Ndërsa këto iniciativa nuk kanë krijuar një ushtri evropiane, ata kanë dëshmuar se është e mundur të ecet drejt përvojave gjithnjë e më të përhapura, dhe perceptimeve të kërcënimeve midis ushtrive të ndryshme evropiane. Ekspertët shpesh e konsiderojnë konceptin e një ushtrie evropiane si jorealiste.

Por udhëheqësit politikë, do të vazhdojnë të përdorin këtë koncept, pasi kjo bart një avantazh të madh:nxit imagjinatën e qytetarëve. Për shkak të rëndësisë simbolike dhe psikologjike, askush nuk është indiferent ndaj kësaj ideje, dhe që nuk dështon asnjëherë në nxitjen e debatit publik.

Çfarëdolloj opsioni, që mund të zgjedhin evropianët për të ardhmen e mbrojtjes së tyre, mbështetja popullore do të jetë një faktor vendimtar në atë vendim.

Ndoshta kjo është natyra e vërtetë e “ushtrisë evropiane”. Më shumë se sa një ëndërr, një slogan apo një horizont afatgjatë, ajo është një ftesë për të debatuar në mënyrë demokratike, mbi të ardhmen e sigurisë sonë.

Shënim: Pierre Haroche, është studiues mbi sigurinë evropiane në Institutin për Kërkime Strategjike (IRSEM) në Paris.

“Euobserver” – Bota.al

More in BLOG
E vërteta dhe virtyti në epokën Trump

Nga Paul Krugman E mbani mend kohën, kur e vërteta ishte thjesht një fjalë tjetër pa asnjë domethënie të veçantë?...

Close