Prokurori Gentian Osmani kaloi vettingun, IKP ankimon vendimin

Institucioni i Komisionarëve Publikë (IKP) ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për prokurorin e Krimeve të Rënda Gentian Osmani. KPK konfirmoi në detyrë prokurorin, por Komisionieri Publik ka ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese me pretendimi se nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka arritur nivelin e besueshëm.

“Ndryshe nga sa ka konkluduar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kriteret e vlerësimit, nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka arritur nivelin e besueshëm”- thotë ndër të tjera Komisionieri Publik.

Gentian Osmani ka qenë pjesë e treshes së prokurorëve, që iu drejtuan vitin që shkoi Kuvendit për arrestimin e Tahirit.

Deklarata e Komisionerit Publik:

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Gentian Osmani, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim, nisur nga parashikimi i nenit 179/b/5 të Kushtetutës, neneve C/2, Ç, D, DH, E dhe F/7, të aneksit të Kushtetutës, konsideron se, ndryshe nga sa ka konkluduar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kriteret e vlerësimit, nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka arritur nivelin e besueshëm, sipas nenit 59/1 të ligjit nr. 84/2016.

Kërkojmë që shkaqet e këtij ankimi së bashku me denoncimin nga publiku të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në zbatim të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Osmani.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al .

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

More in AKTUALITET, LAJME
“Papajtueshmëri me modelin e punës”, zbardhet letra e ish-zv.ministrit Muka drejtuar Ramës

Zbardhet letra e dorëheqjes së Taulant Mukës, i cili për dy javë mbajti postin e zv.ministrit të Arsimit. Në letrën...

Close