Artan Hoxha publikon videon e rrëmbimit të Elvis Troqes në Vlorë

Gazetari i Report Tv, Artan Hoxha siguron ekskluzivisht videon e rrëmbimit të një personi në qytetin e Vlorës në muajin korrik, i cili edhe sot e kësaj dite rezulton i zhdukur. Fjala është për të riun Elvis Troqe, 24-vjeç, fati i të cilit nuk dihet prej dy muajsh. Video u transmetua në emisionin “Repolitix”. Ngjarja ka ndodhur mesditën e datës 17 korrik.

Në pamje duken dy automjete, një i rrëmbyesve dhe tjetri i bashkëpunëtorit i cili mban në monitorim objektivin. 24-vjeçari vëzhgohet fillimisht për vendndodhjen e tij, teksa ndodhej në ambientet e një bar-kafeje.

Rrëmbyesit sinjalizohen nga informatori dhe më pas aty mbërrin makina tjetër një automjet tip “Mercedes-Benz”. Viktima përshëndetet fillimisht me drejtuesin e automjetit dhe më pas hipën me vetëdije, por pas asaj dite ai nuk është parë më dhe është denoncuar i zhdukur në polici. Elvis Troqe është ngritur nga ambientet e lokalit pa marrë telefonin celular me vete. Ndërsa gazetari Artan Hoxha bëri të ditur se familja e Troqes kishte një sebep atë natë për darkë. Makina e rrëmbyesve ka qenë e shoqëruar nga tre automjete deri në dalje të Vlorës.

“Automjeti “Benz” është identifikuar. Autorët, rrëmbyesit gjithashtu dihet se kush janë, por nuk veprohet. Policia nuk vepron. Këta duhet të gjenden në mënyrë që në Shqipëri, në Vlorë, apo kudo tjetër në këtë vend, të mos ndodhin më rrëmbime të kësaj natyre”, tha gazetari Artan Hoxha.

Në qytetin e Vlorës rezultojnë tre persona të zhdukur, Albano Xhaferri 34-vjeç, Marjo Metushaj dhe Elvis Troqe.