Pasi shkatërroi malet e Krujës, Gjiknuri i jep leje “Babasi COO” për mermer në malet e Dibrës

Në mars të vitit 2016, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj (alias Lali Eri), do të deklarontë në një dalje publike se “Çim Babasi është gogoli i mjedisit, shkatërroi malet e Krujës”. Por, 29 muaj më pas, qeveria e tij e Rilindjes e ka “shpërblyer” me një leje minerare firmën “Babasi COO”, e cila zyrtarisht drejtohet nga familjarët e ish-deputetit të PD-së. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka dhënë kësaj firme të drejtë për të shfrytëzuar një pasuri që kap vlerën e rreth 6 milionë USD. Bëhet fjalë për një zonë me mermer në qarkun e Dibrës.

Tpz.al ka siguruar dokumentet e këtij ankandi të zhvilluar nga ministria e drejtuar nga Damian Gjiknuri, ku firma “Babasi COO”, aq shumë e atakuar nga eksponentë të PS-së, do të shfrytëzojë zonën e njohur si Qafë Shtama. Në dokumente thuhet se kjo firmë do të kërkojë për mermer në zonën në zonën minerare nr.272/2, për vlerën totale të investimit prej 28 000 000 lekë. Nga kërkimet, mësohet se do të prodhohet minerali gëlqeror i mermerizuar në një sasi prej 1 000 m3 /vit.

Zona ndodhet në Qafë Shtamë, Qarku Dibër, ndërsa mësohet se i gjithë masivi ka një vlerë prej 615 000 000 lekë (rreth 6 mln USD). Në dokument, ministria e drejtuar nga Damian Gjiknuri, ka ftuar firmën e ish-deputetit të PD-së, që brënda 60 ditëve të paraqesë dokumentet dhe më pas, do të fillojë procedurat e tjera të pajisjes me leje mjedisore dhe me leje të tjera. Por, procedurat kanë filluar, dhe pas shkatërrimit të malit të Krujës sipas Veliajt, kësaj firme i është dhënë edhe një shans tjetër, kësaj herë për të bërë lekë në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë. Dhe, me ngritjen e infrastrukturës, firma do të ketë një fitim të madh me mineralin që do të nxjerrë.
Sipas ekstraktit të QKB-së, firma “Babasi COO” drejtohet nga familjarë të ish-deputetit të PD-së Ndriçim Babasi. Ky i fundit e ka drejtuar për vite me radhë këtë firmë, ndërsa nuk kanë munguar as akuzat me rivalët e tij politikë. Në mars të vitit 2016, Çim Babasi u ndalua pas një proteste në Parkun e Liqenit Artificial, kundër ndërtimit të parkut të lojërave brënda parkut.

Një ditë pas ndalimit, Veliaj do të deklaronte se “Zoti Babasi që është në komisariat, është një njeri që i cënohen interesat. Parkingu te stadiumi Dinamo ishte zaptuar prej tij. Atje përdoret nga qytetarët tani, dhe nuk shiten më makina. Shkoni në Krujë dhe shikoni si është rrjepur mali, dhe ky Çimi bën si dashnor i mjedisit”.
Por, pak muaj më vonë, gjithçka duket se është harruar dhe askush nga politika nuk e ka kaluar “vijën e kuqe”. Megjithëse binzesmenët kanë bindje politike të ndryshme, kur vjen puna te paratë, të gjithë bëhen bashkë. Natyrisht kundër popullit dhe natyrës. Nëse deri më tani jemi të gjithë dëshmitarë të shkatërrimit të kurorës së gjelbër të Krujës, pak vite më vonë, mund të ndodhë edhe shkatërrimi i Dibrës. /TPZ.AL/

More in INVESTIGIM, KRYESORE, LAJME
Grezda i bashkohet grupit, ylli kuqezi zhvilloi stërvitjen e parë me Rejnxhërs

Skocia la një shije të hidhur te të gjithë shqiptarët. Rezultati 2-0, mënyra si Kombëtarja luajti dhe mënyra si erdhi...

Close