Thaçi i përgjigjet ashpër ambasadorit britanik: Larg nga fjalët e çmendura dhe plumbat e luftës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është kundërpërgjigjur Ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’connell, i cili në një intervistë në T7 ka deklaruar që qeveria e Britanisë është kategorikisht kundër idesë së presidentit për ndarje të territorit. “Kufijtë shkruhen me fjalë, por ndërrohen me plumba”, ka thënë O’connell. Presidenti Thaçi në një postim në Twiter ka thënë se korrigjimi i kufijve do të bëhet me dialog dhe me procese paqësore.

“Demarkimi/ korrigjimi i 400km gjatësi kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë do të bëhet me dialog, do të jetë i shënuar në fjalë dhe proces paqësor. Larg nga fjalët e çmendura, dhe plumbat e luftës”, – ka shkruar Thaçi.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’connell në një intervistë dhënë për Frotnal Live në T7 u deklarua kategorikisht kundër idesë për korrigjim kufijsh. Derisa ai nuk sheh dallim në mes të korrigjimit dhe ndryshimit të kufijve, thotë se gjërat e tilla nuk kryhen në mënyrë paqësore.

“Kufijtë shkruhen me fjalë, por ndërrohen me plumba”, tha O’Connel. Kjo nuk është hera e parë që Thaçi dhe O’Connell përplasen. Dhjetorin e vitit të kaluar, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar kishte reaguar ashpër pas mbledhjes së nënshkrimeve për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

“Sonte, mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën që nga lufta”, kishtë thënë O’Connell në një prononcim për mediat.

Idenë për ndryshim e korrigjim kufijsh e ka nisur Presidenti Thaçi menjëherë pasi kishte dështuar të shfuqizonte Gjykatën Speciale. Në janar të këtij viti Zyra e Thaçit e kishte lënë të hapur idenë e bisedimeve me Serbinë, duke përfshirë edhe temën e kufijve. Deri tash vetëm Gjermania e Britania kanë dalë krejtësisht kundër, ndërsa, vendet tjera kanë lënë të hapur mundësinë e çfarëdo marrëveshje me të cilën palët mund të pajtohen.

More in BALLKAN, LAJME
Aksidenti tragjik në Itali, humb jetën 19-vjeçari shqiptar

Një i ri shqiptar ka humbur jetën në Itali, pasi u plagos në një aksident të ndodhur disa ditë më...

Close