Gjiknuri shfaqet si shëtitës, një ditë pasi u denoncua nga Tpz.al zvarritja 10 vjeçare e mbikalimit të Milotit

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri kishte marrë me vete edhe Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendron, për një shëtitje në Milot. Aty, ata ndaluan tek mbikalimi i kësaj zone, i denoncuar të martën nga Tpz.al, se ishte zvarritur për 10 vite nga qeveria Berisha dhe Rama.

Kjo dalje publike u shoqërua nga një seri fotosh që tregonin kantierin e madh të ndërtimit dhe dy deklarata me video. “Ka pak ditë që është lidhur kontrata për përfundimin e punimeve të ngelura dhe plotësimin me rrugë dytësore për gjithë nyjen e Milotit. Është një vepër që ka shumë vite që ka filluar dhe kishin ngelur punimet të pabëra.” – shprehet drejtori i ARRSH-së, Afrim Qendro, i cili flet lirshëm përpara atyre që nuk e njohin. Por në fakt, Qendro më herët ka qënë zv. Drejtor për 4 vite i këtij institucioni dhe është bashkëpërgjegjës për zvarritjen 10 vjeçare të Mbikalimit të Milotit.

“Kjo nyje nuk mund të futej në shfrytëzim nëse nuk bëhej ky projekt i ri dhe kjo garë e re. E kemi nisur punën dhe përfundimisht brenda 15 muajve kjo nyje do të përfundojë me të gjitha zgjidhjet e plota teknike.” – shtoi më tej Qendro.

Ministri Gjiknuri në fakt ishte më i shkurtër në prononcim, ai foli për dëshirën e mirë të qeverisë për të investuar për ndërtimin e Mbikalimit të Milotit, a thua se qeveria po i nxjerr lekët nga xhepi i saj.

“Situata që ka qenë deri më tani ka qenë provizore dhe ka krijuar probleme të mëdha me trafikun. Me ndërhyrjet e shpejta dhe me financimet shtesë që mundësoi qeveria shqiptare, përfshirë dhe procedurën e re që sapo u përfundua dhe që u lidh kontrata, do të bëjmë të mundur që të paktën nyja të fillojë të funksionojë për periudhën e verës. Pavarësisht se vepra do të dojë më tepër se një vit që të përfundojë plotësisht”, u shpreh Gjiknuri.

Por në asnjë moment, as Ministri dhe as Drejtori, nuk dhanë një përgjigje se kush mban përgjegjësi për këtë zvarritje 10 vjeçare? A janë paguar kompanitë kontraktuale për ndërtimin e Mbikalimit të Milotit, dhe kjo nuk është realizuar? Kush ka abuzuar më tepër, në kohën e qeverisë Berisha apo në kohën e qeverisë Rama?

Këto janë disa nga pyetjet që i bën sot çdo qytetar, ku si përgjigje merret një shëtitje propagandistike e Ministrit Gjiknuri dhe Drejtorit Qendro./TPZ.AL/

More in KRYESORE, LAJME
Zbulohet skeda e pasurisë së gjyqtarit Gazni Dizdarit, ja si ka ndryshuar në vite

Gani Dizdari është anëtari i fundit i Gjykatës Kushtetuese që do të përballet me vetingun-një proces që ka rezultuar deri...

Close