Abuzimi 10 vjeçar, si u zvarritën punimet tek mbikalimi i Milotit nga Berisha dhe Rama

“Rrugët të lëna rrugëve” – ishte një nga shprehjet e kryeministrit Edi Rama, të cilën e përdor si sulm ndaj kundërshtarëve politik por edhe si justifikim për mungesën e investimeve në infrastrukturë.

Në fakt, rruga që po flasim në shkrim sot, me të vërtetë ka mbetur rrugëve, jo vetëm për faj të Sali Berishës, por edhe të Edi Ramës. Bëhet fjalë për mbikalimin e Milotit, pjesë e segmentit Durrës-Kukës. Projekti ka filluar plot 10 vite më parë dhe, gjatë kësaj kohe, janë bërë punime sporadike, vetëm sa për të thënë se atje punohet. Pra, në 5 vite qeverisje të Berishës dhe në 5 vite të Edi Ramës, sot ky mbikalim është sërish i papërfunduar.

Sëfundmi, kur të gjithë prisnin që firma kontraktore të përfundonte punimet, Autoriteti rrugor Shqiptar ka tenderuar sërish përfundimin e kësaj rruge. Tpz.al disponon dokumentat e tenderit, ku mbi 10 milionë euro janë marrë sërish nga buxheti i shtetit për të përfunduar atë rrugë.

Objekti i kontratë është “Përfundimi i punimeve të mbetura dhe plotësimi me rrugë dytësore Nyja Milot”. Punimet e reja do të konsistojnë në përfundimin e punimeve për vënien në shfrytëzim të Nyjes së Milotit, konform preventivit dhe  vizatimeve të miratuara në Këshillin Teknik.

“Janë gjithësej 7 rrugë dytësore dhe 13 rrugë të brendshme të përfshira në projekt, me gjatësi totale 11 910 metra” – thuhet në dokumente. Mësohet se i gjithë projekti do të zjasë edhe minimalisht edhe 15 muaj.

Por, nisur edhe nga ky objekt tenderi, me të drejtë të lind pyetje; përse firma e mëparshme nuk i përfundoi punimet? A është penalizuar kjo firmë? A janë marrë masa ndaj punonjësve të Autoritetit Rrugor Shqiptar që mbyllën sytë për këtë problematikë? Pikëpyetjet janë të mëdha dhe do të duhet që ARRSH-ja të sqarojë se çfarë është bërë me këtë projekt, kush ka gabuar dhe a mban dikush përgjegjësi. Deri më tani nuk kemi parë asnjë informacion për vonesën në këto punime.

Rrugët në Shqipëri vazhdojnë të marrin pjesën e “luanit” nga buxheti i shtetit. Në 13 vitet e fundit, qeveritë janë zotuar se do të plotësojnë me rrugë të gjithë sipërfaqen e Republikës së Shqipërisë. Janë hartuar plane dhe janë bërë disa rrugë. Por, pjesa më e madhe janë lënë në mes ose janë pa standarde. Rruga Durrës – Kukës ende nuk ka përfunduar, ku qeveria aktuale akordoi së fundmi edhe 20 milionë USD, megjithëse kostoja ka shkuar mbi 1.3 miliardë USD. Unaza e Fierit dhe Vlorës është lënë përgjysmë gjitashtu, megjithëse kanë mbi 10 vjet që kanë filluar punimet. I tillë është edhe mbikalimi i Milotit, një histori abuzimi dhe shpërdorimi nga dy qeveritë, PD – PS.

Gjiknuri shfaqet si shëtitës, një ditë pasi u denoncua nga Tpz.al zvarritja 10 vjeçare e mbikalimit të Milotit

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri kishte marrë me vete edhe Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendron, për një shëtitje në Milot. Aty, ata ndaluan tek mbikalimi i kësaj zone, i denoncuar të martën nga Tpz.al, se ishte zvarritur për 10 vite nga qeveria Berisha dhe Rama.

Kjo dalje publike u shoqërua nga një seri fotosh që tregonin kantierin e madh të ndërtimit dhe dy deklarata me video. “Ka pak ditë që është lidhur kontrata për përfundimin e punimeve të ngelura dhe plotësimin me rrugë dytësore për gjithë nyjen e Milotit. Është një vepër që ka shumë vite që ka filluar dhe kishin ngelur punimet të pabëra.” – shprehet drejtori i ARRSH-së, Afrim Qendro, i cili flet lirshëm përpara atyre që nuk e njohin. Por në fakt, Qendro më herët ka qënë zv. Drejtor për 4 vite i këtij institucioni dhe është bashkëpërgjegjës për zvarritjen 10 vjeçare të Mbikalimit të Milotit.

“Kjo nyje nuk mund të futej në shfrytëzim nëse nuk bëhej ky projekt i ri dhe kjo garë e re. E kemi nisur punën dhe përfundimisht brenda 15 muajve kjo nyje do të përfundojë me të gjitha zgjidhjet e plota teknike.” – shtoi më tej Qendro.

Ministri Gjiknuri në fakt ishte më i shkurtër në prononcim, ai foli për dëshirën e mirë të qeverisë për të investuar për ndërtimin e Mbikalimit të Milotit, a thua se qeveria po i nxjerr lekët nga xhepi i saj.

“Situata që ka qenë deri më tani ka qenë provizore dhe ka krijuar probleme të mëdha me trafikun. Me ndërhyrjet e shpejta dhe me financimet shtesë që mundësoi qeveria shqiptare, përfshirë dhe procedurën e re që sapo u përfundua dhe që u lidh kontrata, do të bëjmë të mundur që të paktën nyja të fillojë të funksionojë për periudhën e verës. Pavarësisht se vepra do të dojë më tepër se një vit që të përfundojë plotësisht”, u shpreh Gjiknuri.

Por në asnjë moment, as Ministri dhe as Drejtori, nuk dhanë një përgjigje se kush mban përgjegjësi për këtë zvarritje 10 vjeçare? A janë paguar kompanitë kontraktuale për ndërtimin e Mbikalimit të Milotit, dhe kjo nuk është realizuar? Kush ka abuzuar më tepër, në kohën e qeverisë Berisha apo në kohën e qeverisë Rama?

Këto janë disa nga pyetjet që i bën sot çdo qytetar, ku si përgjigje merret një shëtitje propagandistike e Ministrit Gjiknuri dhe Drejtorit Qendro./TPZ.AL/

Më poshtë detaje të projektit:

More in INVESTIGIM, KRYESORE, LAJME
Shtohet skandali/ Elia Zaharia: “Firma ime për prishjen e teatrit është fallcifikuar”

Pas një shkrimi të Lapsi.al se si “princesha” Elia kishte hedhur një firmë për prishjen e Teatrit Kombëtar kur ka...

Close