Televizioni Publik përfshihet në skandal, jep tendera të paracaktuar

Radio Televizioni Shqiptar, i cili financohet nga të gjithë familjet shqiptare, vijon të bëjë tendera pa garë, duke ngritur dyshimet për paracaktimin e fituesit. Sëfundmi, televizioni publik ka hapur një tenderi me vlerë mbi 700 milionë lekë të vjetra, dhe fituese ka qënë firma “TBS 96”, e denoncuar pak kohë më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit se merr shumicën e tenderëve pa garë nga RTSH.

Tpz.al ka siguruar këto dokumente, ku edhe kësaj herë, ka dyshime se mund të jetë i paracaktuar. Në tender ka marrë pjesë edhe një firmë tjetër, por çuditërisht nuk ka dorëzuar vlerë financiare, apo dokumentet shoqëruese. Pra, ka qenë garuese vetëm formalisht.

Në datën 1 gusht 2018, në Agjencinë e Prokurimit Publik u shpall fituesi i tenderit nga RTSH. Në këtë document, thuhet se njoftohet operatori ekonomik “TBS 96” se është fitues i tenderit me objekt “blerje paisje për Studiot e prodhimit për ndryshimin e teknologjisë së Transmetimit nga SD në HD”.

“Njoftojmë se kanë qenë pjesëmarrës në procedurë, 2 ofertues me vlerat përkatëse të ofruara si më poshtë: 1- Operatori Ekonomik “TBS 96” me ofertë: 70,583,000 lekë pa tvsh. 2- Operatori Ekonomik “MUCA”, nuk ka paraqitur ofertë ekonomike” thuhet në këtë dokument.

Tpz.al kërkoi për firmën fituese dhe rezultoi se pronari i “TBS 96” është z. Artan Xhori. Pak vite më parë, BIRN publikoi një raport të KLSH-së, për periudhën nga viti 2010 deri në gjysmën e parë të vitit 2013, kur RTSH zhvilloi 12 tenderë për pajisje dhe kantrata shërbimi me vlerë të përgjithshme prej 168.2 milionë lekësh (1.2 milionë euro).

Sipas raportit, të gjithë tenderët u karakterizuan nga mosmbajtja e procedurave standard të prokurimit pasi mungonin dokumentet kyçe.

“Dy kompani, TBS96 dhe Eurokontakt, fituan shumicën e tenderëve për pajisjet televizive. Shpesh ato qenë kompanitë e vetme konkurrues” – thotë KLSH.

Sipas KLSH-së, në së paku njërin prej tenderëve, TBS 96 dukej se kishte njohuri paraprake se ajo do të zgjidhej si fituese. “Në një tender më 2012, audituesit vërejtën se një nga konkurrentët, TBS96 sh.p.k, qe aq i sigurtë se do ta fitonte tenderin sa vendosi të sigurojë kontratën në të njëjtën ditë kur u hapën ofertat – pra para se ato të vlerësoheshin, duke shkelur gjithashtu ligjin” – vijon më tej raporti.

Ndërkohë, për tenderët në RTSH ka folur dhe kryeministri Berisha. Në një status në facebook, ai shprehet se:“Në prag të Vitit të ri Edi Rama i bëri dhuratë vetes duke ndarë paratë me Bolinon. Bëjnë tender fiktiv për blerje dekoderash dhe i jepet kompanisë që e kap tenderin me 99.99% të vlerës (169,666,596 nga 170 milionë që ishte vlera limit). Kush është TBS 96? Pronari është Artan Xhori ortaku i Carlo Bolinos me të cilin ka kohë që punon si mik i Ramës: Për performancën e tij si kompani duhet të pyetësh kontrollin e lartë të shtetit sepse ka gjetur se në RTSH ka shitur pajisje të vjetra për të reja dhe kineze për evropiane. Të njëjtën gjë ka bërë dhe tani)… Për të kuptuar këtë mjafton të them që RTSH, që është ndërtuesi i të vetmes platformë digitale me leje në Shqipëri dhe që po e ndërton atë s’është pyetur fare për kompatibilitetin e aparateve që ka blerë TBS 96”…

Në këtë muaj pushimi, bashkë me temperaturat po rriten edhe abuzimet me tenderat. Tpz.al do të vijojë të sjell të tjera denoncime korruptive, duke ofruar transparencë për publikun, për mënyrën sesi menaxhohen fondet e tyre.

More in INVESTIGIM, KRYESORE
Propaganda me impiantin e ujërave të zeza në Vlorë, u përurua nga Berisha, Leli dhe Rama

Kryeministri Edi Rama nuk bëri pushim as ditën e dielë. Ai doli në ERTV por edhe në mediat që ushqehen...

Close