SPORT, 24 Qershor 2018, 11:25

Dy favoritët e grupit H në ndeshjen për jashtë ose brenda

Dy favoritët e grupit H në ndeshjen për jashtë ose brenda

Nuk e kishte menduar asnjë prej dy pretendentëve të Grupit H se në sfidën direkte do të vinin nga dy humbje surprizë në debutim. Polonia dhe Kolumbia nuk do ta donin kurrë situatën me të cilën përballen në Kazan Arena: domosdoshmëri fitore për të dyja skuadrat nëse mendojnë se duhet të shkojnë më tej në Rusi 2018.

Nawalka rinis nga Lewandowski…

Polonia e Adam Nawalkas kishte zhgënjimin më të madh, njeriun e saj më të rëndësishëm. Robert Lewandowski ishte hije i vetvetes, Milik luajti një ndeshje të tmerrshme, por Nawalka nuk ka zëvendësues më të mirë se sulmuesi i Napolit, që me shumë mundësi duhet të formojë sërisht repartin me Lewandowskin.

Blaszczykowski jashtë, të tjerët janë të paralajmëruar…

Polakët nuk treguan asgjë përballë Senegalit nga ajo formë që i udhëhoqi drejt 8 fitoreve në 10 ndeshje gjatë kualifikueseve. Edhe transformimi taktik në lojë e sipër nga 4-4-1-1 në 3-5-2 nuk ndryshoi ritmin e një skuadre që dukej e lodhur ende pa nisur ndeshja. Ai që mund të vuajë pasojat e një loje zhgënjyese, në ndeshjen e 100 me kombëtaren, është Jakub Blaszczykowski. Tekniku duket megjithatë i orientuar drejt një mesfushe me 5: treshja e qendrës nuk ndryshon, ndërsa krahë do të mbulohen nga Piszczek e Rybus.

Rodriguez shpresa e madhe e Pekerman…

Kolumbia pati një makth startin e Kupës së Botës kur Carlos Sanchez mori kartonin e kuq dhe Japonia mori avantazhin në vetëm tre minuta lojë. Amerikanolatinët duhet të marrin veten tashmë nga kjo traumë dhe tekniku, Pekerman, shpreson ta bëjë me rikuperimin e James Rodriguez. Fantazisti i Bayern e nisi ndeshjen e parë nga pankina, por provën fizike e kaloi dhe do të zbresë nga minuta e parë në fushë për të formuar treshen me Muriel e Cuadrado në mbështetje të sulmuesit Radamel Falcao. Pas provës së mirë kundër aziatikëve Quintero vetëm do të spostohet në rolin e mesfushorit mbrojtës.

Kolumbia gëzon fitoren e vetme në histori…

Vetëm një herë janë ndeshur së bashku këto dy formacione, në miqësoren e luajtur në Slaski ku kolumbianët fituan 1-2. Por në kushtet ku ndodhen ato, që ishin kuotuar si favoritët e grupit, nuk ka asnjë rëndësi: nuk ka vend për gabime në Kazan Arena.