Shembja e Teatrit, Nano: Rama po ecën kuturu dhe mund të thyejë qafën

Mutafa Nano e konsideron një “të pabërë” këtë që po ndodh me Teatrin Kombëtar. Në një intervistë dhënë për “TemaTv”, Nano rendit problematikën që nxjerr në pah çështja e TK, si nguti për të shembur godinën, projekti i prezantuar në Kryeministri dhe i pakonsultuar, si dhe Partneriteti Publik-Privat.

Nano e krahason Tiranën e Ramës me një Frankenshtein, që do të bëhet edhe më i tmerrshëm me ngritjen e shtatë kullave mu në zemër të Tiranës. Ai ndalet te roli i kryebashkiakut Veliaj, në këtë histori, që, sipas tij, i bindet verbërisht vullnetit të Kryeministrit, si dhe qëndrimi i opozitës. Ai shprehet se, me gjasë, kjo e fundit është e përfshirë kokë e këmbë në aferën e kullave: “Aktorët do duhej ta kishin refuzuar ndihmën e opozitës, ashtu si do duhej të shmangnin deklarata politike të tipit ‘kjo qeveri është e marrë fund’. Mirëpo, nuk di pse nuk e kanë bërë. Mesa duket, janë të dobët, të paktë, të përçarë dhe nuk dinë se ç’të bëjnë”, shprehet ai.

Keni ju një qëndrim tuajin në debatin mbi Teatrin Kombëtar?

Nuk ju kemi dëgjuar të flisni për këtë gjë. Unë kam një opinion. Por nuk mendoj se ka rëndësi kjo në këtë mes. Me që ra fjala, unë nuk kam ndonjë problem që kanë një opinion të kundërt. Por, përsëris, kjo nuk ka rëndësi. E prandaj, shqetësimet e mia janë të një natyre tjetër.

Cilat janë shqetësimet tuaja?

Shqetësimi i parë është që e gjithë kjo punë po bëhet me ngut, si fshehurazi, si për inat, si për një karshillëk. Kështu ka nisur qysh në krye të herës, qysh me lajmin se ndërtesa e Teatrit Kombëtar do shembet e në vend të saj do ndërtohet një tjetër. Pastaj erdhi konferenca për shtypin që organizoi Kryeministri Rama, në të cilën publikut iu hodh syve një projekt i Teatrit të ri. Nuk u mor vesh se nga mbiu ai projekt, pse ish bërë, për sa kohë që askush nuk e kish kërkuar. Nuk u mor vesh se ku është ai projekt, pasi askush nuk e ka parë me sy, nëse përjashtojmë një karabiná që është parë nëpër portale. Ajo konferencë për shtypin ishte e gjitha një teatër, një teatër i keq, me protagonist Kryeministrin. Më pas, ndonëse protesta e aktorëve ka vijuar, Kryeministri nuk ka denjuar të presë në takim ndonjë prej protestuesve apo të japë ndonjë sqarim publik. Me sa duket e ka pas vendosur me kohë që kështu do të bëhej. Dhe kështu, vijmë te shqetësimi i dytë. Rama është shumë i vendosur për ta çuar deri në fund këtë plan për shembjen e Teatrit e për ngritjen e kullave në atë pjesë të Tiranës. Rama është përgjithësisht një njeri i pavendosur, njeri që tërhiqet shpejt, por në këtë pikë po tregohet më i vendosur se kurrë ndonjëherë më parë. E ka shumë për zemër këtë punë. Përse vallë? Nuk është çudi që shumë shpejt, ajo zonë aty të shndërrohet në një kantier ndërtimi. Mirëpo, kam përshtypjen se po ecën kuturu dhe mund të thyejë qafën. Dhe shqetësimi i tretë është teprimi me praktikën PPP. Rama e ka shndërruar praktikën e Partneritetit Publik-Privat në një ‘deus eks makina’, në një çelës magjik zhvillimi. Ok, kjo është një teknikë që mund të aplikohet në ndonjë rrethanë, por nuk mund të aplikohet në çdo rrethanë. Dhe, në fakt, njerëzit poshtë po e perceptojnë PPP-në si një ortakëri ilegale mes qeverisë e biznesit për të bërë një shpërndarje të pilotuar të ca parave publike në duar private.

Përveç kësaj, ka një shqetësim të madh qytetar lidhur me një grup kullash.

Ka shumë njerëz që i kanë zët kullat, dhe unë nuk bëj pjesë te këta. Por në këtë mes bëhet fjalë për kulla që do ngrihen në qendër të Tiranës. Dhe nuk është një kullë. Një kullë ndoshta nuk do ndryshonte asgjë të madhe, pasi një kullë sot do ishte si një kullë tjetër e ngritur rrotull qendrës. Fjala është për një bllok kullash, për një kompaund arkitekturor që do të ngrihet mu në qendër, pranë njëra-tjetrës, që të japin idenë e asaj qendrës së famshme financiare të Londrës, që ka gjithashtu nja shtatë kulla, jo më shumë. Dhe ne do bëhemi me një “city of London”, që do t’i ndryshojë faqen “Londrës” sonë. Do t’ia ndryshojë me të vërtetë faqen Tiranës. Një grup i madh kullash mu në qendër të Tiranës nuk ka diskutim që ia ndryshon faqen qytetit. Me sa duket, Rama kërkon të mbetet në histori si krijuesi i një qyteti tjetër, i një monstre në fakt, sepse e tillë është Tirana e krijuar prej tij, një monstër, një Frenkenshtein që të kall datën. Po t’i shtojmë këtij qyteti edhe shtatë kullat, Frenkenshteini bëhet edhe më i frikshëm. Është qyteti më i shpifur në Europë.

A ka një rol edhe Erion Veliaj në këtë gjë?

Ai nuk po e mban premtimin për të mos bërë ndërtime në qendër. Duket se po imiton Ramën. Erion Veliaj sigurisht që ka rol. Ai nuk ka ndonjë ndryshim nga Rama në stilin e qeverisjes së qytetit, sidomos në përpjekjet për të bërë punë “në të mirë të komunitetit” me biznese të mëdha. Por ky është një diskutim që nuk mund të bëhet tani. Veliaj, nga ana tjetër, është një fenomen më vete. Ai ka bërë një numër punësh të mira. Nuk mund të mohohet ky fakt. Ai duket se di t’u qëndrojë punëve mbi kokë nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe në këtë pikë ka ditur të bjerë në sy. Në këtë pikë, duhet thënë edhe shyqyr që kemi Veliajn në krye të Tiranës. Por kur vjen puna te vendimet e mëdha, ai i atashohet vullnetit të Edi Ramës. Verbazi. Me entuziazëm.

Si me sheshin qendror të Tiranës…

Po, si me sheshin. Edhe këtu nuk është çështja se si është sheshi, i mirë apo i keq. Mua, fjala vjen, më pëlqen. Kam vënë re, megjithatë, se shumë të tjerëve nuk u pëlqen. Por problemi nuk është këtu. Problemi është lehtësia, me të cilën këta njerëz marrin vendime të mëdha që kanë të bëjnë me ne të gjithë. Dhe në këtë kuptim, Erion Veliaj i atashohet në mënyrë absolutisht jo kritike, nënshtruese, vullnetit të Ramës. Sheshi qendror nuk është i Veliajt. Është i Ramës. Edhe kullat ngjitur me Teatrin nuk janë të Veliajt. Janë po njësoj të Ramës. Siç është e Ramës çdo gjë në Tiranë. Veliaj është thjesht një shtojcë e vullnetit të Ramës. Dhe problemi nuk është se nuk ka fuqi që t’i kundërvihet Ramës. Problemi është se ne nuk e dimë se çfarë mendimi të vetin ka Veliaj për Teatrin apo kullat. Pastaj, problemi është se ai as që e çon në mendje t’i kundërvihet Ramës. As në gjumë.

Duket se ka një lojë me dy porta nga ana e opozitës, pasi thuhet se ka ndërtues të lidhur me opozitën që do ndërtojnë ngjitur me Teatrin. E keni idenë se çfarë thotë qytetari dixhital lidhur me këtë gjë?

Asgjë. Është e çuditshme kjo, pasi qytetari dixhital është robi më llapaqen në botë. Flet për çdo gjë, veç për Teatrin e kullat nuk flet. Sepse opozita, me shumë gjasë, është e përfshirë kokë e këmbë në këtë biznes. Dhe për ta fshehur këtë gjë, ata bëjnë sikur janë të shqetësuar. Bëjnë ndonjë takim me protestuesit. Dhe kaq. Bënë një protestë të madhe për Babalen, që ishte e gjitha një sajim i turpshëm nga fillimi deri në fund, ndërsa për këtë punë janë mjaftuar me ndonjë takim në baret e Tiranës. Dhe me këtë qëndrim, veç sa kanë bërë pis reagimin e protestën e aktorëve, duke mbajtur larg protestës shumë njerëz. Aktorët do duhej ta kishin refuzuar ndihmën e opozitës, ashtu si do duhej të shmangnin deklarata politike të tipit “kjo qeveri është e marrë fund”. Mirëpo, nuk di pse nuk e kanë bërë. Mesa duket janë të dobët, të paktë, të përçarë dhe nuk dinë se ç’të bëjnë.

Pse Kryeministri po e çon në Parlament këtë çështje?

Sepse duhet të ketë yçkla jo ligjore, që veç në Kuvend bëhen ligjore. Dhe dyta, sepse kjo është një bëmë e madhe, më saktë një e pabërë e madhe, të cilën Rama nuk do ta mbajë mbi vete si përgjegjësi sot e si faj nesër. Dhe unë jam i sigurt se deputetët do ta votojnë të gjithë në grup. Është për të ardhur keq.

Kjo është një histori e mbyllur, sipas jush?

Kam frikë se po. Vetëm një protestë e madhe civile, qytetare, mund ta bëjë Ramën ta kthejë mbrapsht vendimin e tij. Mirëpo, nuk shoh që një protestë e tillë të ndodhë. Këtu është vrarë njëherë e mirë ideja e protestës civile.