Reagime për takimin Trump-Jong Un. Çfarë u deklarua nga Seuli, Pekini, Tokio dhe Moska

Shtrëngimi historik i duarve dhe marrëveshja për një denuklearizim të gadishullit korean, arritur mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe drejtuesit koreano-verior, Kim Jong Un në Singapor ka ngjallur sot në botë reagime pozitive, por shpesh të rezervuara.

Seuli: “Një ngjarje historike”

“Marrëveshja e Sentosas e 12 qershorit do të mbetet në historinë botërore si një ngjarje që i dha fund Luftës së Ftohtë”, është shprehur i entuziazmuar presidenti koreano-jugor, Moon Jae-in duke iu referuar ishullit të Sentosas në Singapor, ku dy drejtuesit janë takuar.

Pekini: “Fillimi i një historie të re”

“Fakti që drejtuesit më të lartë të dy vendeve ishin ulur përkrah njëri-tjetrit për bisedime ka një kuptim të rëndësishëm dhe përbën fillimin e një historie të re”, deklaroi ministri kinez i Punëve të Jashtme, Wang Yi.

Moska: “Një hap i rëndësishëm”

“Fakti që ky takim u zhvillua, është sigurisht, pozitiv”, përshëndeti kreu i diplomacisë ruse, Serguei Lavrov.

“Ne mund të përshëndesim faktin që një hap i rëndësishëm është bërë. Sigurisht, që “djalli” është në detaje dhe ne duhet të presim më konkretisht. Por, impulsi, për atë që ne kuptojmë, është dhënë”, theksoi zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Serguei Riabkov.

Tokio : “Një hap i parë”

Qëllimi i Jong Un për të parë një denuklearizim të plotë të gadishullit korean u konfirmua me shkrim. E mbështes këtë hap të parë drejt një zgjidhjeje të të gjitha çështjeve përsa i përket Koresë së Veriut”, deklaroi kryeministri japonez, Shinzo Abe.

Paris: “Një hap domethënës”, por pa harruar Iranin

“Dokumenti i nënshkruar nga Donald Trump dhe Kim Jong Un është një hap domethënës”, përshëndeti ministrja franceze e Çështjeve Europiane, Nathalie Loiseau.

Ajo shprehu keqardhje për standartin e dyfishtë të aplikuar nga Uashingtoni, që hodhi poshtë marrëveshjen për programin bërthamor iranian.

Bashkimi Europian: “Një etapë kyçe”

Samiti i Singaporit është një etapë kyçe dhe e nevojshme drejt një denuklearizimi, për përfaqësuesen e diplomacisë europiane  Federica Mogherini.

AIEA “e gatshme për të ndërmarrë verifikime”

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike është gati të kryejë çdo aktivitet verifikimi në qendrat bërthamore koreano-veriore, nëse Uashingtoni dhe Pheniani e kërkojnë”, konfirmoi sekretari i përgjithshëm, Yukiya Amano, i cili përshëndeti rezultatin e samitit.

Varshava: “Kujdes me marrëveshjet me një diktator”

“Duhet të jemi koshient për faktin se ishte një takim dhe përpjekje me një diktator”, theksoi Jacek Sasin, kreu i komitetit të përhershëm i Këshillit polak të Ministrave.

Oslo: “Puna filloi”

“E cilësoj si pozitiv faktin që ka pasur diskutime që, dukshëm, janë mbajtur me tone të qeta. Deklarata përmban shumë pika të përbashkëta me deklaratat e ngjashme që janë parë në të kaluarën. Tashmë një pjesë e madhe e punës ka filluar”, theksoi ministrja norvegjeze e Punëve të Jashtme, Ine Eriksen Soreide

More in BOTA, LAJME
Pasuria e deklaruar e Haradinajt, përveç parave cash, mbërrin gati 1 në milion Euro

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Gazeta Express ka raportuar para një...

Close