Intervista/ Si u spërdrodh Edi Rama nga pyetjet e Euronews

Kryeministri Edi Rama, ka shpalosur edhe njëherë hapur standartin e tij të dyfishtë kur flet për të huajt dhe kur u drejtohet shqiptarëve. Në një intervistë për Euronews, dhënë një ditë më parë, kryeministri shqiptar ka lënë të kuptohet qartë se hapjen e negociatave nuk e shikon si një hap në dobi të shqiptarëve dhe integrimit të vendit, por si diçka që i duhet atij me çdo çmim në këtë periudhë të vështirë e plot skandale të qeverisë që ai drejton.

Edi Rama gati lutet që të marrë hapjen e negociatave në qershor dhe pastaj të tjerat, siç thotë ai, nuk kanë rëndësi. “Nuk na duhet një datë për të inkurajuar popullsinë tonë. Kemi nevojë të hapim negociatat në qershor. Vetëm kaq. Nuk duam asgjë tjetër. Vetëm të hapim negociatat, Europës kjo nuk i kushton asgjë, nuk do paguajnë asnjë qindarkë. Për ne është çështje jete ose vdekje, në kuptimin që hapja e negociatave për ne do të thoshte të kalonim në të ardhmen dhe ta linim pas më në fund të shkuarën”.

Kjo kërkesë e Ramës tingëllon skandaloze. Ndonëse flet në emër të shqiptarëve, ajo është një lutje personale për një hall personal: Ramës i duhen politikisht për konsum të brendshëm negociatat në qershor. Vetëm kaq, thotë ai. Punë e madhe për datën, për përfitimet që duket të ketë Shqipëria financiarisht, asgjë tjetër veç një hapje formale të negociatave, ndërkohë që vendet e tjera fqinje kanë marrë dhe një datë.Ramës i duhen negociatat si akt për konsum politik, ndërkohë që shqiptarëve u duhet angazhimi real për t’u bërë pjesë e BE.

Gjatë intervistës për Euronews, kryemisnistri Rama i shmanget pyetjes mbi krimin e organizuar në Shqipëri, duke e trajtuar atë si një krim të organizuar ndërkombëtar, i cili duhet luftuar bashkarisht me Europën. Edhë në këtë drejtim ai nuk merr asnjë angazhim, ndonëse mazhoranca që udhëheq ka shënuar rekorde botërore në lidhjet me krimin dhe korrupsionin.

Por kulmin Edi Rama e arrin në përgjigjet spërdredhëse kur vihet përballë pyetjes se përse i sulmon mediat dhe i quan ato kazan. “Dua t’iu flas për një çështje shumë të ndjeshme për Bashkimin Europian, thotë gazetarja, lirinë e shtypit. Sipas një raporti të Reporterëve pa Kufi… gazetarët janë të ekspozuar ndaj fyerjeve- tonë ata- të Edi Ramës që i quan kazan, helm dhe armiq publikë. Këtë mendoni për gazetarët e vendit tuaj?”.

Dhe përgjigja e Edi Ramës të lë pa mend. Ai rrëshqet si ngjalë duke rënë nga gënjeshtra në gënjeshtër dhe jep shpjegime qesharake për të justifikuar në Europë një qëndrim ala Erdogan ndaj mediave, me të cilin mburret në Tiranë.

“Unë nuk përpiqem kurrë të gjykoj atë që thonë burimet gazetareske. Kur them kazan, kjo është mënyra shqiptare për të përkthyer termin “fake news”, sepse përkthim fjalë për fjalë nuk tingëllon mirë në shqip. Pra nuk kam fyer asnjë gazetar personalisht, direkt”.

Gënjeshtra dhe akrobaci qesharake, për ata që jetojnë në Shqipëri dhe e dëgjojnë çdo ditë kryeministrin. Ai deklaron për shqiptarët se ka të drejtë t’i gjykojë gazetarët dhe mediat dhe e mohon këtë për të huajt. Ai thotë se nuk ka fyer ndonjë gazetar apo media direkt, ndërkohë që e ka bërë me dhjetra herë, madje në çdo përballje të tij me shtypin. Dhe për të mbuluar kazanin e tij politik, shpik për gazetaren e Euronews se nuk paska në shqip term tjetër veç fjalës kazan për të përkthyer “fake news”. Ky është kryeministri shqiptar, që në Tiranë shfaqet krenar për bëmat e tij, ndërsa në Europë e merr bishtin ndër shalë për t’u dukur modern dhe liberal.

Me të njëjtën frymë, Edi Rama justifikon edhe kopaçet e tjera që ka këputur, si fjala vjen bashkimin e Shqipërisë me Kosovën apo zgjedhjen e një presidenti të përbashkët mes këtyre dy shteteve. Këtu shfaqet nacionalist që të prekë telat e shqiptarëve dhe në Europë flet si i moderuar për të mos provokuar europianët.

A do të bindë kjo lojë me dy porta e Edi Ramës për të dhënë dritën jeshile në qershor? Europa di t’i ndajë faktet nga propaganda, prandaj dhe kryeministrit shqiptar i duhet të flasë kaq shumë e të përgënjeshtrojë vetveten çdo herë. Sepse i mungojnë faktet.

More in AKTUALITET, LAJME
Meta mbledh Sigurinë, i pranishëm edhe ministri Xhafaj

Këshilli i Sigurisë Kombëtare duhej të ishte mbledhur dy javë më parë, por u shty për këtë të mërkurë dhe...

Close