Përfundon “muaji i mjaltit” me Jugun. Veriu kërcënon SHBA mbi samitin e qershorit

Kthesa e papritur e Kim Jong-unit me gatishmërinë për të biseduar qoftë me fqinjin jugor, ashtu dhe me Shtetet e Bashkuara, duket se ka ardhur pranë një fundi të beftë e të padëshiruar.

Koreja e Veriut ka anuluar këtë të martë bisedimet e nivelit të lartë që do të zhvillonte me Korenë e Jugut, për shkak të asaj që media shtetërore e vendit komunist e konsideron si zemërim në lidhje me stërvitjet ushtarake.

Agjencia e lajmeve koreano-veriore, “KCNA” njofton se stërvitjet e përbashkëta mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, në këtë moment, janë thjesht një “provokim”. Ajo paralajmëron gjithashtu Shtetet e Bashkuara për fatin e samitit historik mes Kim Jong-unit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, që është programuar të mbahet më 12 qershor.

Në mars, Trump befasoi mbarë botën kur pranoi ftesën për t’u takuar me udhëheqësin e vendit të izoluar komunist.

“Të dy ne do të përpiqemi ta bëjmë atë një moment shumë special për paqen në botë”, shkruante asokohe shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Rreth 100 avionë luftarakë, përfshi edhe një numër të paspecifikuar bombarduesish “B-52” dhe avionësh “F-15K” nisën stërvitjet e pagëzuara me emrin “Max Thunder” ditën e premte.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut këmbëngulin se të tilla stërvitje janë tërësisht me qëllime mbrojtëse, e zhvillohen bazuar mbi marrëveshjen e përbashkët të mbrojtjes, që kanë nënshkruar që prej vitit 1953. Ata thonë gjithashtu se stërvitjet janë të nevojshme për të forcuar gatishmërinë e tyre në rast të ndonjë sulmi të jashtëm.

Reagimi i Koresë së Veriut gjithsesi është disi i vonuar, pasi vendosi që të tërhiqet nga bisedimet vetëm një ditë përpara zhvillimit të tyre. Analistët paralajmërojnë prej kohësh për sjelljen e paparashikueshme të Kim Jong-unit, që duket tashmë se po përpiqet “të kërcënojë” palët përballë për të pasur sa më shumë fuqi gjatë bisedimeve.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se po vazhdon përgatitjet për takimin mes Trumpit dhe Kim Jong-unit në Singapor, e se nuk është në dijeni të ndonjë ndryshimi në pozicionin e Koresë së Veriut.

Top Channel

Të ngjashme

More in BOTA, LAJME
Del VIDEO/ “Leka për xhaxhi policin” për të mos marrë gjobë

Në emisionin “Stop” u transmetua një video, ku u shfaq një polic duke falur shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor...

Close