Dritëhijet ruse mbi paratë e presidentit Trump

Nga NY Times

Para se të krijoheshin akuzat për bashkëpunim me Rusinë, ishin ngritur shumë pyetje për financat e Donad Trump-it. Në ato kohë të pafajshme, pyetjet ishin më shumë për punë transparence: pse nuk tregonte dhe Trump si gjithë kandidatët e tjerë se sa taksa kishte paguar? Mos ndoshta nuk ishte vërtet miliarder?

Këtë javë është bërë e qartë se fshehja e taksave nga Trump, ashtu si akuzat për bashkëpunim me hakera rusë në zgjedhjet vitit 2016, mbulohen nga të njëjtat hije dyshimi.

Të martën u mësua se kompani të lidhura me oligarkët rusë kishin dhënë më shumë se 1 milion dollarë për të mbuluar (modeli guaskë) një kompani që e kishte ngritur avokati i presidentit, Michael Cohen, pak para zgjedhjeve, në mënyrë që të paguante heshtjen e Stormy Daniels, pornostares që thotë se ka kryer marrëdhënie seksuale me Trump-in në vitin 2006.

Korporatat AT&T, Novartis dhe Korea Aerospace kanë paguar këtë kompani guaskë, të quajtur “Essential Consultats”, gjatë vitit të shkuar. Të gjitha janë kompani që kanë lidhje biznesi me qeverinë federale amerikane ose që kanë biznese të cilat mund të ndikohen nga ligjet federale, si p.sh kontrolle të mundshme mbi çmimet e ilaçeve, apo padia që Departamenti i Drejtësisë ka ngritur ndaj dyshimeve për parregullsi me procedurat që ka përdorur AT&T  për blerjen e Time Warner.

Novartis tha të mërkurën se kishin shpenzuar në fakt 1.2 milionë dollarë, 800,000 më shumë se ç’ishte raportuar fillimisht. AT&T thanë se kishin paguar 600,000, tri herë më shumë se ç’ishte raportuar. Të dyja nxorën deklarata duke mohuar shkeljet, por prapë lanë përshtypjen se kishin paguar që të lidheshin me presidentin ose me ndërmjetësin e tij. Korea Aerospace tha për Wall Street Journal se e kishte paguar Essential për konsulta ligjore në lidhje me praktikat financiare amerikane. Seriozisht.

Këto burime të dyshimta parash ishin në qendër të një artikulli nga Uashington Post, që zbulonte se një dhjetëvjeçar para zgjedhjeve, Presidenti Trump kishte bërë diçka që është e pazakontë për një biznesmen ndërtimi: kishte ndaluar së marri para hua. Falimentimet njëra pas tjetrës e kishin kthyer Trump në personazh të padëshiruar në banka, ndaj, ai që vetëquhej “Mbreti i Borxheve”, kishte nisur të bëhej më i kujdesshëm, ose ndoshta thjesht ishte përballur me realitetin. Ajo që ndodhi më pas ishte edhe më e pazakontë. Në fillim të vitit 2006 organizata e Trump-it shpenzoi 400 milionë dollarë për projekte të ndryshme. Djali i presidentit Trump, Eriku, tha që e kishin bërë me para të ardhura nga bizneset e tjera të Trump, edhe pse Amerika ishte në kulmin e Recesionit të Madh. Ky shpjegim ka bërë që shumë ekspertë biznesi të rrudhin vetullat me dyshim.

Por kjo deklaratë e Erik Trump kundërshton atë që kishte thënë vëllai i tij më i madh, Donald Trump Jr, në kohën kur fjalët “lidhje me Rusinë” nuk ishin ende të rrezikshme për ta.

“Rusët përbëjnë një pjesë të madhe të aseteve tona. Na vijnë shumë para nga Rusia”, tha ai në vitin 2008.

Shkrimtari James Dodson tha vitin e shkuar se gjatë një vizite në fushat e golfit të Donald Trump-it, në vitin 2013, Eriku i kishte treguar për financat e familjes: “Nuk bazohemi shumë te bankat amerikane. Fondet që na duhen i kemi të gjitha në Rusi”.

Dhe pikërisht kur i dha lamtumirën bankave amerikane, Donald Trump u afrua me avokatin Cohen, i cili ka një CV që do të kishte mbajtur larg çdo biznesmen të ligjshëm.

Që nga viti 1999, sipas një artikulli në Times, Cohen ka pasur marrëveshje me pjesëtarë të mafias ruse, si dhe ka bashkëpunuar me shumë personazhe nga ish Bashkimi Sovjetik e Rusia. Në vitin 2007 Cohen punonte për Organizatën Trump si “fixer”, ndërmjetës për të gjetur biznese të reja.

Edhe gjatë fushatës së vitit 2016, Cohen u përpoq të ndërhynte për ndërtimin e një kulle “Trump” në Moskë, në bashkëpunim me Felix Sater-in, një ish i dënuar që kishte lidhje me mafian ruse dhe që kishte punuar për marrëveshje të tjera me z.Trump.

Pasi Trump ishte zgjedhur president, në kohën kur FBI po hetonte nëse fushata e tij i kishte ndihmuar përpjekjet e rusëve për të vendosur Trump në zyrën ovale, Cohen takoi shefin e tij në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë kësaj vizite në vitin 2017, Cohen i dha këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, një plan për të hequr sanksionet kundër Rusisë. Këto sanksione ishin vendosur nga Amerika pas sulmeve ruse në Ukrainë dhe kishin dëmtuar personazhet me të cilët kishte bashkëpunuar Cohen. Plani ishte i propozuar nga Sater dhe nga një politikan ukrainas që kishte lidhje me Paul Manfort, një ish drejtues i fushatës së Trump-it.

Flynn e ka pranuar se ka gënjyer për lidhjet me rusët, dhe z. Manfort po gjykohet për krime financiare që kanë lidhje me Rusinë.

Për momentin, amerikanët janë me fat që këtë çështje po e heton këshilltari i posaçëm Robert Mueller. Mueller u caktua në detyrë pasi Trump pushoi drejtorin e FBI-së,  James Comey-n, për shkak të streseve që i kishte shkaktuar me akuzat për lidhjet me Rusinë. Mueller ka hetuar bizneset e avokatit Cohen dhe të dhënat e Organizatës Trump. Një pyetje që Mueller do t’i bëjë presidentit, sipas avokatëve të Trump-it, është se çfarë komunikimi ka pasur ai me Michael Cohen, Felix aSater dhe të tjerët, në lidhje me disa ndërtime në Rusi gjatë kohës që po zhvillohej fushata.

Rusët dhe paratë e dyshimta kanë qenë pjesë e jetës së Trump-it për shumë vite. Tani janë elemente hetimi për të parë nëse fushata e tij ka bashkëpunuar me Moskën për të korruptuar demokracinë amerikane. Afërsia që Trump ka pasur ndaj presidentit rus ka ngritur pyetjen: “Me çfarë mund ta shantazhojë Putini presidentin Trump?” Këtë ndoshta do ta tregojnë të dhënat financiare të organizatës.

Bordi Editorial i NY Times

Top Channel

Të ngjashme

More in ANALIZË
Si po e shkatërron Erdogani-Turqinë njësoj si Putini-Rusinë

Ndërsa Turqia bëhet gati për zgjedhjet e parakohshme më 24 qershor, presidenti i vendit, Rexhep Taip Erdogan përballet me një...

Close