Rama konfirmon investigimin e Tpz.al, pas Teatrit Kombëtar do të ketë 6 kulla

Rreth dy javë më parë, Tpz.al nxorri ekskluzivisht disa nga skica nga burime brenda Bashkisë së Tiranës, ku shfaqeshin 6 kulla pas Teatrit të Ri Kombëtar. Sipas projektit, kulla e parë do të jetë me 10 kate, e dyta me 12, e treta me 14 e deri tek e 6-ta që shkon 22 kate.

Sot, Edi Rama bëri publike pikërisht këtë investigim të Tpz.al. Në projektin e prezantuar nga arkitekti i njohur danez, Bjarke Ingels, në prani të kryeministrit të Shqipërisë, konfirmoi se Teatri i Ri Kombëtar do të jetë nën hijen e 6 kullave, të pozicionuara në formë zig-zag, e që shkojnë deri tek muri i ish godinës së Partisë Demokratike, sot FRD.

Gjatë fjalës së tij, që u transmetua në ERTV, Rama tha se kompania private që do të ndërtojë Teatrin Kombëtar, nuk do e bëjë këtë gjë për bamirësi, por duke marrë të drejtën të ndërtojnë në hapsirën publike pas godinës së teatrit.

Të njëjtën gjë denoncoi edhe Tpz.al, ku sipas burimeve konfidenciale brenda Bashkisë së Tiranës, mësoi se kompania që do të ndërtojë Teatrin Kombëtar, do të kompensohet me tokë publike. Teatri i ri Kombëtar do të zërë vetëm 3000 m2 truall. Ndërsa kullat do të zënë më tepër sipërfaqe se Teatri Kombëtar, pra rreth 4500 m2 hapësirë publike si dhe 1200 m2 që i ka privati.

Nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton, se privati do të dalë me fitim maksimal, duke ndërtuar 6 kulla, ku mesatarja e tyre do të jetë 16 kate. Në një sipërfaqe ndërtimi prej 5700 m2 (4500 m2 tokë publike + 1200 m2 private), hapësira e shfrytëzimit është 70%, pra, rreth 4000 m2. Nëse shumëzojmë katet e kullave, mesatarja 16, me sipërfaqen ku do të ndërtohet 4000 m2 (hapësira e shfrytëzimit), rezulton mbi 64 mijë m2 ndërtim në total.

Çmimi i apartamenteve në këtë zonë elitare shkon në 2500 euro/m2, ndërsa për dyqanet kap edhe shifrën e 11 mijë euro/m2. Nga 16 kate që është mesatarja e kullave, rreth 12 kate do të jenë apartamente, pra përafërsisht 48000 m2 ndërtim. Nëse shiten me tregun aktual (pasi vlera mund të rritet), këto apartamente do të gjenerojnë rreth 120 milionë euro të ardhura.

Ndërkohë 4 kate dyqane që do të jenë për secilën kullë me një sipërfaqe totale prej 16 mijë m2 ndërtim, do t’i sjellin ndërtuesit mbi 170 milionë euro nga shitja e tyre. Pra, janë mbi 290 milionë euro të ardhura nga ndërtimi i këtyre 6 kullave, dhe nëse i shtojmë edhe garazhet e makinave, atëherë kjo shifër i kalon 300 milionë euro.

Në fushën e ndërtimit, marzhi i fitimit është mbi 50 %. Nga 300 milionë euro, ndërtuesi i kullave përllogarit se do të përfitojë 150 milionë euro.

Teatri i ri Kombëtar, sipas deklaratave të Erion Veliajt në studion e Opinion, nuk do të kushtojë më shumë se 30 milionë euro. Si konkluzion, ndërtuesi ka leverdi të marrë përsipër ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar nëse i falet 4500 m2 tokë publike, për të ngritur 6 ngrehina që do t’i zënë edhe më tej frymën kryeqytetit.

Këtij debati të madh, i dha sot fund Edi Rama. Ai po pikturon qendrën Tiranës, me kulla, beton, zhurmë dhe trafik. Natyrisht, këto nuk do të kenë efekt tek Rama, pasi ai jeton larg Tiranës, në periferi, pa zhurmë, pa pluhur dhe i rrethuar nga gjelbërimi./TPZ.AL/E.H/

Projekti i denoncuar nga Tpz.al:

Projekti i prezantuar sot në kryeministri:

More in KRYESORE, LAJME
Basha reagon ashpër ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e quan talibanizëm kulturor dhe historik prishjen e teatrit kombëtar dhe ndërtimin e një...

Close