Zhvillime të reja për vrasjen e Ivanoviç, policët dyshohet se zhdukën provat e krimit

Një gëzhojë e zhdukur e njërit prej plumbave që qëlloi Oliver Ivanoviqin është arsyeja pse dy policë të Kosovës kanë përfunduar në burg. Mësohet për pretendimet e Prokurorisë ndaj dy policëve, të cilët u arrestuan të shtunën me dyshimet se zhdukën prova në rastin Ivanoviq. Politikani serb ishte qëlluar me gjashtë plumba ndërsa grupi hetimor në vendin e ngjarjes kishte gjetur një gëzhojë më pak.

Kjo gëzhojë nuk ishte zbuluar në ditën e krimit. Siç shkruhet në dosjen e Prokurorisë kur hetuesit kishin shikuar kamerat e sigurisë nga vendi i krimit kishin parë policin Zharko J., i cili kishte marrë nga vendi i krimit një gëzhojë dhe e kishte futur në xhep, shkruan Kallxo.com.

Kolegu tjetër i tij, Dragisha M. po ashtu i arrestuar, vetëm kishte shikuar këtë veprim të kolegut të tij pa e penguar të njëjtin. Prokuroria pretendon se dy policët lejuan kalimtarë të rastit të futen në vendin e krimit pa i penguar të njëjtit.

Dy të dyshuarit janë paraqitur sot para Gjykatës së Mitrovicës, ku nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën që u vihet në barrë. Vendimi për masën ndaj tyre pritet të merret në orët në vijim.

Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar. Ai u varros një ditë më pas në Beograd.

Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, ata serbë dhe kosovarë. Ai shihej një politikan i moderuar në Kosovë që përkrahte bashkëjetesën midis pakicës serbe dhe shumicës shqiptare.

Megjithatë, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm. Serbia ka kërkuar përfshirje në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa dy shtetet në mënyrë të tërthortë janë duke shkëmbyer informata për këtë vrasje.

More in BALLKAN, LAJME
VIDEO E RENDE/ Tifozët hyjnë në fushë dhe masakrojnë lojtarët

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në futbollin turk. Në ndeshjen mes skuadrës nga Çanakale, Yeni Çanspor dhe asaj nga...

Close