Parkimi i “Sheshit Italia” ndërtohet për herë të dytë, Veliaj shpenzon 3.4 miliardë lekë

Kompania që ndërton “Arena Kombëtare”, ka fituar tenderin edhe për parkimin te “Sheshi Italia”. Tpz.al mëson se arkitekti italian Marco Casamonti, që u pagua nga firma “Alb Star” për stadiumin, projektoi edhe parkimin nëntokësor.

Por ky parkim, është bërë për herë të dytë brenda 3 viteve, duke ngritur kështu dyshimet për shpërdorim të fondeve publike nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Në muajin tetor 2015, pak muaj pasi kishte fituar zgjedhjet lokale, Veliaj inaguroi parkimin tek “Sheshi Italia”. Ai e cilësoi si një investim serioz, që do t’i vinte në ndihmë banorëve të kryeqyteti. Por askush nuk e mendonte se ky parkim i ndërtuar me taksat e qytetarëve do të ishte i përkohëshëm.

Me fillimin e punimeve të stadiumit të ri “Arena Kombëtare”, ku është përfshirë edhe një kullë, kompania që po e ndërtonte, “Alb Star” e zaptoi këtë parkim publik për të parkuar mjetet e saj të ndërtimit. E kthyer në një rrënojë, tashmë Veliaj po bën tender për herë të dytë, për ndërtimin e një parkimit të dytë.

Tpz.al ka mësuar se ditët e fundit është shpallur edhe fituesi i këtij tenderi, që është pikërisht, firma “Alb Star”. Pra, firma që po ndërton stadiumin “Arena Kombëtare”, fitoi edhe projektin e ndërtimit të parkimit që do të jetë edhe nëntokësor, me fondet e Bashkisë së Tiranës.

Sipas dokumentave, për ndërtimin e parkimit nëntokësor, Veliaj ka vendosur një me fond limit prej 346.567.091 lekë pa TVSH të reja. Mësohet se kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj kalendarike duke nisur nga dita e lidhjes së kontratës.

Pra, duket si një skenar i mirëmenduar për të grabitur fondet publike. Dëmtimi i parkimit të “Sheshit Italia” është bërë i qëllimshëm, për ta bërë të padobishëm. Kjo ka “detyruar” Bashkinë e Tiranës  të zhvillojë një tender për ndërtimin e një parkimi të ri, por kësaj here shumë herë më të shtrenjtë për xhepat e qytetarëve.

Në dokumentet e tenderit rezulton që një nga projektuesit e parkimit nëntokësor është arkitekti italian, Marco Casamonti. Ky ka qenë një nga arkitektët më të kërkuar nga Edi Rama, edhe gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Tiranës. Ai ka projektuar në 2005, kullën 20 katëshe “EverGreen Toëer”, e cila po ndërtohet në krah të Gjykatës së Lartë. Projektimi i saj u bë në konkursin që Rama organizoi për ndërtimin e dhjetë kullave të përfshira në master planin francez për qendrën e re të Tiranës. Në 2008, Casamonti ishte anëtar i jurisë për projektin e Sheshit “Skenderbej”, ndërsa ai mban vulën edhe të “Velierës” në Durrës, një objekt futuristik i ndërtuar mbi vepra të rëndësishme arkeologjike./TPZ.AL/E.H/

Në foto, Veliaj duke inaguruar parkimin e parë tek “Sheshi Italia”:

Më poshtë foto ku kompania “Alb Star” ka zaptuar parkimin publik:

Më poshtë projekti i arkitektit Casamonti:

Më poshtë njoftimi i tenderit: