ARMO, historia e grabitjes më të madhe në dhjetë vitet e fundit

ARMO SH.A, (Albania Refining and Marketing of Oil) lindi në vitin 1999, nga skizma e Albpetrolit. ARMO, që nga kjo kohë, ishte e vetmja kompani që kryente  përpunimin e naftës së nëntokës shqiptare.

ARMO SH.A përfshinte dy uzina, të ndërtuara nga miqtë kinezë, aleatët  e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës. Në fillim, kinezët, në vitin 1968 , ndërtuan rafinerinë e Fierit dhe më pas kombinatin e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, në vitin 1975.

Furnitori i ARMO-s ishte Albpetrol dhe më pas kompani të tjera koncesionare, të krijuara rishtaz, ku shquhej Bankers Petroleum.

Nga viti i krijimit 1999 deri në vitin 2008, ARMO ishte kompani shtetërore, që përpunonte 500 mijë ton naftë në vit dhe kishte mbi 2100 naftëtarë të punësuar. Fitimet vjetore të uzinës, përllogariteshin rreth 30-35 milionë dollarë amerikanë, nëpërmjet taksave të akcizës, tatim-fitimit, sigurimeve shoqërore dhe taksës së karbonit. Këto fitime vjetore, tregonin që ARMO ishte një kompani serioze dhe premtuese.

Në maj të vitit 2008, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, e drejtuar nga Sali Berisha, shpalli garën për shitjen e 85 % të aksioneve të ARMO-s. 20 kompani u interesuan për këtë proces privatizimi, por në fund vetëm 4 prej tyre paraqitën oferta.

Në krye të listës, me një superofertë, prej 128 milionë eurosh dhe me premtimin për 240 milionë euro investime, në 4 vitet e ardhshme, qëndronte konsorciumi “Amra Oil” i përbërë nga “Anika Enterprises & Mercuria Energy Group” dhe “Refinery Associates of Teksas”.

Pas konsorciumit me këtë përzierje të çuditshme emrash, në fakt si fitues qëndronte Rezart Taçi, një biznesmen kontrovers, i cili kishte shërbyer në Itali si kamarier dhe befas ishte kthyer në Shqipëri, si një biznesmen i rëndësishëm. Nuk dihet saktësisht sesi Taçi u bë mik i familjes Berisha, por dihet që kjo miqësi është shkaku që kamarieri i zbritur nga Italia, u bë pronar i një nga pasurive më të rëndësishme kombëtare të vendit.

I cuditshëm ishte fakti, që ato kohë u përfol shumë,  se Taçit nuk iu përllogaritën në cmimin e shitjes, 40 milionë euro naftë rezervë. E vërteta është se biznesmeni Taçi, në të gjithë këtë proces privatizimi,  paraqiti vetëm letra qindra milionëshe pa patur asnjë lek në xhep.

Pas kësaj dhurate si të rënë nga qielli, Taçi u vu në lëvizje për të gjetur paratë. Duke mos patur asnjë mundësi për ta zhvilluar këtë biznes, ai krijoi për herë të parë në historinë e koncesioneve në Shqipëri, një skemë të mirëfilltë mashtrimi dhe grabitjeje nëpërmjet taksave.

Sapo fitoi koncesionin e ARMO-s, Taçi, mori një kredi prej 75 milionë euro, nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, IBA, një institucion financiar, 50.2 % e të cilës ishte në pronësi të shtetit azer.

Në atë kohë, Azerbaixhanin e vizitoi edhe Kryeministri Berisha, i cili mori pjesë në një forum, ku takoi edhe presidentin azer, Aliev, takim mjaft i përfolur ky, në atë kohë.

Taçi dhe Banka azere përdorën për transfertën e 75 milionë eurove, një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.

 

Një vit pas transfertave dhe blerjes së ARMO-s nga Rezart Taçi, banka azere i kërkoi kthimin e shumës mbrapsht banka e nivelit të dytë në Shqipëri. Në fillim banka hezitoi të pranonte se kishte marrë shumën prej 75 milion eurosh, por më pas  ktheu vetëm 1.5 milion euro. Raporti mes azerëve, Taçit, bankës së nivelit të dytë në Shqipëri , por dhe qeverisë shqiptare, është pjesa më e errët e kësaj afere.

Azerët u përpoqën të merrnin paratë e tyre deri dhe me kërcënime. Në ato kohë u plagos edhe një shtetas azer në qytetin e Durrësit. Ndërkohë, një nga pistat e hetimit për vrasjen e presidentit të  një banke të nivelit të dytë në Shqipëri , janë azerët. Edhe sot e kësaj dite, Banka IBA nuk i ka marrë paratë për kredinë e ARMO-s, ndërsa paratë që kjo bankë transferoi në Shqipëri nuk dihet ku përfunduan.

Gjithsesi, kjo është vetëm maja e ajsbergut! Në të njëjtën kohë, pra në vitin 2009, biznesmeni Rezart Taçi, nisi sagën e shmangies së taksave dhe mospagimin e detyrimeve të tjera. Drejtoria e Tatimeve dhe Doganat, cuditërisht gjatë gjithë kohës mbyllën sytë, duke vendosur gjoba qesharake ndaj ARMO-s edhe pse kjo kompani nuk kishte dorëzuar asnjë bilanc, nga viti 2010 deri në vitin 2013. Asnjë institucion nuk morri masë për bllokimin e llogarive bankare të Taçit. Dukej që lepuri flinte më lart.

Sipas auditit të kryer nga kompania audituese “Deloitte”, borxhet e ARMO-s, gjatë kohës që ishte në pronësi të biznesmenit Taçi, nga viti 2008 deri në gusht 2013, e kaluan shifrën 300 milion euro. Taçi njëkohësisht kishte marrë 2 kredi të mëdha në bankat shqiptare, me vlerë 47.5 milionë euro, duke vënë si garanci asetet e ARMO-s, duke e mbivendosur këtë garanci, kudo kur merrte para.

Por këtu nuk janë vetëm bankat viktimë. E keqja më e madhe është, se ARMO e asaj kohe, rezulton të jetë debitore ndaj palëve të treta, konkretisht ndaj 10 kompanive naftë-nxjerrëse, me një vlerë që i kalon 100 milion euro.

ARMO e Taçit, kishte gjithashtu mbi 40 milionë euro detyrime ndaj Albpetrol, si dhe 41 milionë dollarë ndaj një kompanie panameze, Uallis Trading Inc, ku i kishte mashtruar duke i lënë një kolateral inekzistent të ARMO-s.

E sikur të mos mjaftonte degradimi që po i bënte ARMO-s, duke e fundosur me borxhe, qeveria Berisha, i jep në vitin 2012, biznesmenit Rezart Taçi, kompaninë naftë-nxjerrëse, Albpetrol. Njësoj si me ARMO-n, edhe tek Albpetrol, shfaqën interes 4 kompani, por Vetro Silk Road Equity Ltd e regjistruar në Singapor, u rendit fituesi me ofertën e majme prej 850 milionë euro. Po ngjallej ëndrra e madhe e piramidave dhe sigurisht mbrapa kuptohej që ishte…

Dhe njëlloj siç ndodhi me privatizimin e ARMO-s, edhe Vetro dështoi të siguronte paratë për privatizimin e Albpetrol. Qeveria u tërhoq duke e anulluar tenderin në janar të vitit 2013. Edhe në këtë rast, kompania nën kontrollin e Taçit, kishte ofruar një garanci prej 85 milion euro nga American Chartered Bank në Çikago, e cila më vonë, sic pritej, u zbulua se ishte falso.

I gjendur në prag falimenti, me një mal me borxhe tek Tatimet, doganat, bankat, Bankers Petroleum, Albpetrol e shumë kompani të tjera, në gusht të vitit 2013, Taçi vendos të shesë ARMO-n, për 50 milionë euro, tek një kompani tjetër azere e quajtur Heaney Assets Corporation dhe e regjistruar në parajsën fiskale të ishujve Britanikë Virxhin.

Me ardhjen e qeverisë së majtë në pushtet në vitin 2013, shpresat se më në fund ARMO do të vihej nën kontroll, u zgjuan. Por shpresa nuk zgjati më shumë se një ëndërr. Siç do të shohim më poshtë,  Edi Rama, mori të gatshme dhe përdori të njëjtën skemë që kishte përdorur parardhësi i tij, Sali Berisha.

Kompania azere, Heaney Assets Corporation, pasi morri në dorëzim ARMO-n,  u gjend e tmerruar nga borxhet e mëdha që kishte lënë Rezart Taçi. Me metodat që  dinte ti përdorte vetëm ai, Taci i kishte fshehur të gjitha borxhet me fatura fiktive, pak para se ta shiste. Kulmi i mashtrimit arriti kur edhe gjatë shitjes së ARMO-s, Taçi përdori sërish uzinën, për të marrë një borxh prej 69 milion euro, të cilën ua transferoi kompanive të tij “Taçi Oil” dhe “KUID Sh.a”. Këtë shumë gjigande e përfitoi në momentin e ndërrimit të aksionerëve.

Të shokuar nga ky bilanc tronditës i ARMO-s, azerët ndërprenë punën deri në gusht të vitit 2014, ku ata lidhën dy marrëveshje kontraktuale me kompaninë Deveron Oil, e krijuar në zonë off shore dhe kompaninë tjetër, Trading Petrol and Drilling, për dhënien me qira të rafinerisë së Ballshit dhe asaj të Fierit. Kontratat që u lidhën me këto dy kompani ishin të çuditshme, pasi ARMO merrte përsipër të gjitha detyrimet tatimore, doganore, vendore, energjinë elektrike dhe çdo taksë apo sanksion.

Por kjo lehtësi ndaj këtyre dy kompanive, nuk ishte rastësi. Pikërisht këtu fillon i njëjti skenar grabitjeje si ai i kohës së Berishës, por me aktorë dhe regjisorë të rinj. Në kompaninë Trading Petrol and Drilling, më herët kishte qënë administrator Mitat Sulaj, vëllai i biznesmenit Besnik Sulaj, pronarit të kompleksit Taivan, një nga miqtë e njohur të kryeministrit Rama. Ndërkohë, përfaqësuesi aktual i Trading Petrol and Drilling, është Pajtim Braçaj, vëllai i Avni Braçajt, i cili zotëron 10 % të aksioneve të kompleksit ‘Taivan’.

Ndryshe nga Trading Petrol and Drilling, pronësia e Deveron Oil nuk është e qartë. Megjithatë, ka dyshime se mbas saj mund të fshihet biznesmeni Rezart Taçi, duke qenë se është e njëjta skemë grabitjeje.

Të dy kompanitë, Deveron Oil dhe Trading Petrol and Drilling, nëpërmjet lehtësive që u krijoi kompania azere Heaney Assets Corporation, dyfishuan borxhet ndaj shtetit Shqiptar. Sipas Ministrisë së Energjisë, në Janar 2016 kompania Deveron Oil krijoi një borxh prej 81.2 milionë dollarë, ndërsa TP&D Oil 55.2 milionë dollarë.

Një raport tronditës i Ministrisë së Energjisë, i Shkurtit 2016, tregon që deri në Janar 2016, ARMO, duhet ti paguante shtetit një shumë prej 595 milionë dollarë detyrime, që nga koha e privatizimit në vitin 2008.

Ndërsa ARMO kishte arritur kulmin e borxheve, bankat lëshuan dhëmbët e zyrave përmbarimore, për të marrë kolateralin, në këtë rast astetet e Uzinës së Ballshit dhe asaj të Fierit. Edhe pse kokoshi ishte katandisur një thelë, lufta ishte e madhe.

Një bankë e nivelit të dytë, në vendin tonë, aktivizoi në prill 2016, zyrën e saj përmbarimore, TMA, për të sekuestruar 54 asete të ARMO-s. Kjo shoqëri përmbarimore e kësaj banke, i vlerësoi 54 asetet e ARMO Sh.a, 31,2 milionë dollarë dhe në muajin tetor nxori në shitje 80 % të tyre, ose afro 25 milion euro.

Çuditërisht në mënyrë të paprecedent, fituese e ankandit rezulton banka e nivelit të dytë. Pra, kjo bankë që po shiste kolateralin e vet, po e blinte po vetë?!

Por, kjo skemë e përdorur nga kjo bankë ishte e mirëmenduar, pasi banka zgjodhi të mos e paguajë vlerën e aseteve prej 25 milion eurosh, të nxjerrë në ankand, duke e shkëmbyer me detyrimin kreditor, që ARMO kishte kundrejt saj, që në kohën e Rezart Taçit, në vlerën prej 20 milion eurosh.

Blerja nga banka e nivelit të dytë  e aseteve të ARMO-s, ka detyruar Ministrinë e Drejtësisë, që ngrihet në këmbë dhe të urdhërojë një hetim administrativ për procedurat e tjetërsimit të këtyre pronave. Sipas kodit  të procedurës civile përcaktohet qartë radha e kreditorëve preferencialë, të cilët kanë të parët të drejtën për të marrë paratë për ekzekutimin e mallit: punonjësit, autoritetet fiskale, kompanitë publike, bankat e më pas palët e treat, të lidhura me kompaninë. Por kodi i procedurës civile, në rastin e ARMO-s,  jo vetëm që nuk është respektuar, por 54 asetet e kompanisë i janë dhënë kreditorit të 4-rtë në radhë. Ngjarja më qesharake, është se i vetmi person përgjegjës u shpall kryeregjistruesi i ZVRPP Mallakastër, i cili u pushua nga puna dhe pas një padie penale në Prokurori, u arrestua.

Me marrjen e aseteve në mënyrë të dyshimtë nga banka e nivelit të  dytë në Shqipëri , azerët e Heaney Assets Corporation u larguan nga Shqipëria, duke lënë sërish borxhe me kompanitë që kishte kontraktuar.

Pas largimit të azerëve, biznesmeni i kompleksit Taivan, Sulaj vijoi ta shfrytëzonte ARMO-n, por tashmë nëpërmjet  bankës së nivelit të dytë. Një kompani e quajtur IRTC, Ioninan Refining and Trading CO, u shfaq nga hiçi në 1 shtator të vitit 2016. E regjistuar në ishujt Virxhin, IRTC kishte për administrator Mitat Sulaj, vëllain e Besnik Sulaj si dhe anëtarë të Këshillit Avni Braçaj, aksioner i komplektit Taivan bashkë me Sulajn.

Në 24 nëntor 2016, banka e nivelit të dytë  lidhi një kontratë kalimi pronësie me rezervë me IRTC. Sipas kontratës që ne disponojmë, IRTC duhet të paguante dy këste shpërblimi tek banka e nivelit të dytë në Tiranë  përpara se ta merrte në pronësi. Sot e kësaj dite nuk dihet nëse këto këste janë paguar.

Vëllëzërit Sulaj, krijuan borxhe njësoj si paraardhësi Taçi. Mbi 50 milionë euro detyrime u krijuan ndaj tatimeve, doganave dhe OSHEE-së, edhe pse kjo kompani arkëtoi plot 220 milionë euro. E ndërsa një qytetar i thjeshtë pas disa ditësh do të shkojë në burg, nëse nuk paguan detyrimet e ujit, në rastin e paprecedent ARMO, shteti shqiptar mbylli sytë përballë kësaj mega grabitjeje.

Aktualisht borxhi i ARMO-s, që nga viti 2008, deri sot, përllogaritet në 700 milion euro. Janë Sali Berisha dhe Edi Rama, ata që duhet t’ju tregojnë shqiptarëve, ku kanë shkuar këto para. Ata duhet t’ju përgjigjen edhe 1300 punëtorëve të hedhur në rrugë.

*Dokumentari i plotë u transmetua në emisionin “Të Paekspozuarit”, në Top Channel

/TPZ.AL/

More in IDE, INVESTIGIM
ARMO është më shumë se paratë në xhepat e Berishës dhe Ramës

Nga Andi Bushati  Ajo që po ndodh me ARMO-n nuk është as thjeshtë një skemë grabitësish të lidhur me Berishën,...

Close