Plas “bomba” në futbollin italian: Blerja e Milanit u përdor për të ricikluar paratë

Në futbollin italian plas një skandal i ri dhe ka të bëjë me blerjen e Milanit nga kinezët. Dyshohet për veprime mafioze e të kundraligjshme, për të cilat nisin hetimet nga prokuroria italiane e që ka gjasa të shkaktojë tërmet në futbollin e këtij vendi. Sipas mediave italiane, problemet e Milanit, prej kalimit të klubit në pronësi të kinezëve, vazhdojnë të shtohen.

Dyshimi më i fundit është se blerja e “Djallit” u përdor për pastrim parash. Prokuroria e Milanos dyshon se shifra me të cilën u shit skuadra dhe e paguar nga kinezët nëpërmjet kanaleve ndërkombëtare, ishte jashtë realitetit dhe vlerës reale të klubit. Kjo është hipoteza në të cilën po punohet për të verifikuar prejardhjen e vërtetë të parave, plot 740 milionë euro, nëpërmjet të cilave Milani kaloi pas 31 vjetësh në duart e Silvio Berlusconit, te pronari i ri, Yonghong Li.

Sipas tezave të hetuesve, në realitet kjo është një skemë për të futur në Itali shifra të mëdha parash. Krimi lidhet me dyshimin për pastrim parash, megjithatë nuk është e qartë nëse të dyshuarit e vetëm janë pronarët e rinj të klubit, apo nëse i përfshirë është edhe Berlusconi.

Gjatë muajve të kaluar Milani u trondit nga hetimi i realizuar nga mediet amerikane, “New York Times” dhe “Bloomberg”, të cilat ngritën dyshimet e para rreth rregullsisë së ndryshimit të pronësisë të një prej klubeve më të mëdhenj të futbollit botëror. Nëse provohen dyshimet e prokurorisë, atëherë kemi të bëjmë me skandalin më të madh të futbollit italian e atij europian.