E çmendura N pastron paratë e kanabisit, te Zonja e të madhit!


E çmendura N e kryeqytetit, dje në mesditë, me një thes të madh në shpinë, u shfaq te ura e Tabakëve. Pasi hypi lart, mbi urë, ajo filloi të hidhte një valle me motive të jugut.

Pas pesë minutash, e çmendura zbriti poshtë, përgjatë Lanës dhe te ura që kthehesh në bllok, hodhi përsëri një tjetër valle, këtë herë me motive korçare.

Kërcimit të të çmendurës N, i’u bashkuan disa gazetarka, që u bëjnë çdo ditë terapi portaleve, me lajme bomba.

Pasi mbaroi vallen, e çmendura, zbriti buzë Lanës, hoqi thesin nga shpina, hapi grykën e tij nga ku nxorri disa tufa kartëmonedhash, në lek, euro, dollarë amerikanë dhe kanadezë.

Një grup i madh kureshtarësh, u mblodh mbi urë dhe po ndiqte me një kureshtje të rrallë veprimet e të çmendurës.

Pasi i vendosi tufat e kartëmonedhave në një govatë të mbushur me ujë, mbi bordurën e betonit, e çmendura N nxorri një leckë të madhe të bardhë, rrëmbeu tufën e parave në lek, lagu leckën në govatë dhe filloi të pastronte tufën e lekëve.

Kureshtarët mbi urë filluan të lëshonin pasthirrma habie.

Në çastin që e çmendura N, nxorri një tufë të madhe eurosh, me prerje pesëqindëshe dhe filloi ti pastronte, befas pranë saj u shfaq një Zonjë e rëndë, me një veshje gjithë shkëlqim, me emrin Zonja L.

– Uaaaaa Zonja e të madhit!, – u habit e çmendura N. Po pse zbrite? Pse u mundove deri këtu o Zonja L?

– Pashë nga lart, veprimet që po bën dhe u shqetësova o e çmendur. Ç’po bën kështu me gjithë këto vlera monetare kjo grua, thashë me vete dhe zbrita.

– Po ja, po i pastroj o Zonjë e të madhit, ky vend kështu është sot, i mbushur me para të pista. Kudo që të shkosh para të pista, para të palara gjen. Edhe rraca jonë i ka xhepat plot me këtë lloj paraje o Zonja L. Mu mblodhën të gjithë të çmendurit, mi dhanë mua, na i pastro më thanë! Hiqua të ligën këtyre parave! I mora të gjitha dhe erdha t’ju fus një larje këtu në Lanë, një pastrim, një money laundering, siç thoni ju të sërës së lartë, o Zonjë e të madhit!

– Po mirë moj e çmendur, kush të ka thënë ty, që pastrohet në këtë mënyrë paraja?! Kështu paraja llangoset më keq moj ditëzezë. Hajde tani, çohu dhe më ndiq mbrapa! Të mësoj unë si të pastrosh paratë e të gjithë të çmendurve…

– Aman o Zonjë e të madhit, aman o Zonja L, se mos më fut në ndonjë hile dhe më vranë të çmendurit! Janë kursimet e dy vjetëve o Zonja e të madhit. Është kanabisi i të gjithë të çmendurve o Zonja L!

– Mos ki merak, o grua e marrë. Aty ku do të të çoj unë, pastrohet paraja e të gjithë rajonit. Paraja e kanabisit dhe të gjitha gjërave të lehta dhe të rënda…

– Po mirë, o Zonja L, ky i madhi di gjë për këtë qendër pastrimi? Të paktën t’ju them të çmendurve që e kemi kopetentin lart.

– Mos bëj pyetje me këtë karakter o e çmendur! Po të garantoj, që çdo proces këtu është i sigurt dhe sekret.

– Mirë moj Zonja L, mirë moj Zonja e të madhit, kuptohet tani që në dorën tuaj jemi të gjithë! Por aman, vëre dorën në zemër, se më vrasin të çmendurit. Se vërtet ky thes, që kam në krahë, është pak i papastërt por është para gjaku o Zonja L.

15 minuta më pas, e çmendura N dhe Zonja L, mbërritën te Rruga e Kavajës, përballë bankës me fuqi të madhe pastrimi.

– Përse më sollë këtu moj zonja L?! Kjo nuk është lavanderi. Kjo duket si bankë. Pastaj ç’është kjo bankë me këtë emër të çuditshëm? Nuk e kam dëgjuar kurrë këtë emër.

– Emri i bankës, është “Vëllai” o e çmendur, por ne e kemi vënë në gjuhë tjetër, që të mos kuptohet. Po të them dhe sekretin e fundit. “Vëllai” është banka e vëllait të të madhit.

– Uaaaa sa të thelluar paskeni qenë moj Zonjë e të madhit! Po mirë unë e lë thesin këtu dhe ju ç’merrni në këmbim? – pyeti e çmendura.

– Ne si çdo bankë, marrim përqindje o e çmendur. Përqindja varet nga papastërtia që ka paraja. Për kanabisin përshembull, si drogë e lehtë, ne mbajmë 50% të vlerës së depozituar. Për heroinën 60%, ndërsa për kokainën 82%.

– Po ju kështu të këpusni në mes, moj Zonja e të madhit!

– Si të duash, se ma more gjithë ditën, zvarrë ma more! Në daç kthehu në Lanë, laj paratë dhe bythën po deshe…

– Jo jo jo aman, jam dakord, jam dakord Zonja L, – tha e çmendura dhe sëbashku me thesin dhe Zonjën e të madhit, u fut në bankë.

Pas dy orësh, e çmendura N e kryeqytetit, doli nga dera qëndrore e bankës, pa thesin në krahë, me një mandat arkëtimi, që e kalonte, herë në njërën dorë e herë në tjetrën, duke përshpëritur, “vëllai, vëllai, o vëlla o vëlla”.

/TPZ.AL/ 

More in TEJ E KETEJ
E çmendura N, shpall dy njerëzit e vitit 2017

E çmendura N e kryeqytetit, përjetoi në këto ditë Krishtlindjesh, një stërmundim të jashtëzakonshëm. Për 48 orë rresht, ajo seleksionoi...

Close