X

E çmendura N, shpall dy njerëzit e vitit 2017

E çmendura N e kryeqytetit, përjetoi në këto ditë Krishtlindjesh, një stërmundim të jashtëzakonshëm. Për 48 orë rresht, ajo seleksionoi dhe stërseleksionoi, kandidatin për njëriun e vitit 2017.

Për këtë vit, e çmendura N, kishte grumbulluar nga i gjithë vendi, 420 kandidatura, nga më të famshmet e Shqipërisë, të ligjshme dhe të paligjshme.

Kishte kandidatë nga fusha e politikës, ekonomisë, artit, kulturës, kanabisit, prostitucionit, sportit, oligarkëve, mitomanëve , etj etj.

Në fund, pas stërmundimit të madh, me seleksionimin, të çmendurës i dilnin gjithmonë dy njerëz, me pikë të barabarta. Ajo bëri të pamundurën që njëri të merrte një pikë më shumë, për të qenë i pari, por ata dilnin gjithmonë, të pandarë, me pikë të barabarta.

Pasi e pa që ishte e kotë, të gjente një njeri të vetëm, e çmendura vendosi ti shpallte të dy fitues.

Mesditën e djeshme, ajo ngjiti shkallët e Pallatit të Kongreseve dhe përpara një tufe të madhe gazetarësh, të shtypit të shkruar, televizoneve dhe portaleve, dha këtë deklaratë:

– I nderuar popull, të nderuar qytetarë, të nderuar fshatarë! Pas një pune të gjatë dhe të vështirë, ashtu siç e dini të gjithë, sepse çdo banor i këtij vendi është i famshëm, pra pas një punë të palodhur, unë u përpoqa të zgjedh njeriun e vitit 2017, por ky njeri gjithmonë më dilte dy. Këto dy figura janë: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, deri në kufi me Durrësin, Elbasanin, Krujën dhe Beratin, Erion Veliaj, i mbiquajtur “Lali Eri” dhe tjetra, përfaqësuesja mbarëshqiptare, pajtuesja e gjithë hallexhinjve shqiptarë kudo që janë, zonja Eni Çobani.

– Rroftë Eni Çobani, – tha një plak i ardhur nga Mallakastra, që kishte marrë pjesë dy herë në emisionin “Shihemi në Gjyq”. Në njërën nga ndërmjetësimet, në pajtim e sipër me plakën, të dyve i’u kishte rënë të fikët.

Pas britmës së plakut, e çmendura, bëri dy hapa para, nxorri nga xhepi një letër, kërkoi qetësi dhe filloi të lexonte të parin, motivacionin për zonjën Eni:

– Zonja Eni Çobani, kjo grua flamurtare dhe pararojë, kjo lajmëtare e reformës në drejtësi, kjo bijë popullore, ka qenë shpresë e vetme për drejtësinë, ka qenë ligj, madhështi, megallomani dhe prosperitet! Edhe sikur shkëlqesia e tij, ambasadori i nderuar Donald Lu, të mos e bëjë dot reformën në drejtësi, Eni Çobani, nuk do të lejojë kurrë, që drejtësia të largohet nga ky vend. Rroftë zonja Eni! Rroftë Ardit Gjebrea! E përjetshme qoftë drejtësia, që ka krijuar televizioni Klan!

E çmendura, bëri një pauz të shkurtër, dy hapa para dhe vazhdoi:

– Ka njerëz, që mendojnë dhe duan, që zonja Eni të ndalohet, me çdo kusht, qoftë edhe duke e lidhur. Ka njerëz që mendojnë se ajo po merr në qafë njerëzit dhe hallexhinjtë e shkretë. Po ku ka forcë që ta ndalojë zonjën Eni?! Rroftë reforma në drejtësi! Rroftë Eni Çobani!

Këtu, e çmendura N e kryeqytetit, ndaloi së foluri, u ul këmbëkryq te shkallët, nxorri nga xhepi i palltos së zezë, një shami të madhe vishnje dhe filloi të qante.

– Ç’bën kështu o e çmendur, ç’janë këto lot në kohë festash?! – e pyeti njëra prej gazetareve të shtypit të shkruar.

– Eh moj vajzë, ku di ti ç’është kjo botë, ti që kur ke lindur e ke gjetur çdo gjë gati. Qaj nga gëzimi moj gazetare e shkretë. Qaj nga gëzimi, për këtë Tiranë që kemi sot. Kjo është Tirana e Lali Erit. Kjo është Tirana që duam. Kush do të më ndihmojë, për të lexuar motivacionin e Lali Erit?

Një gazetare e njohur, e shtypit rozë dhe portaleve, u derdh e para dhe ja rrëmbeu të çmendurës letrën nga dora.

– Si quhesh? – e pyeti e çmendura N

– Mira Iva Anila Kosherja, – ja theu gazetarja dhe gjithë solemnitet filloi të lexonte:
Ky motivacion i kushtohet, kryenjeriut të vitit 2017, Lalit tonë Eri.
Gjatë vitit 2017, Lali ynë Eri, është shfaqur, në të gjitha televizionet shqiptare sëbashku, 23,213 orë LIVE dhe 15,700 orë, jo LIVE.

Gjatë këtij viti, Lali ynë Eri, ka marrë në krahë, 1880 fëmijë dhe ka puthur 1740 prej tyre. 167 prej këtyre fëmijëve, janë me prejardhje nga komuniteti rom, vlleh dhe bullgar.

Gjatë këtij viti, Lali Eri ka veshur, 2400 bluza, jelekë, këmishë me mëngë të shkurtra dhe të gjata, xhibokse, bluza të leshta dhe të paleshta, veshje të pambuqta. Gjatë këtij viti, Lali Eri ka përdorur 602 palë pantallona, 71 palë çizme, 319 palë këpucë të thjeshtëzuara. Në këto 350 ditë, Lali Eri, ka përdorur 311 llojë maqinerish në punë e sipër.

Lali Eri gjatë këtij viti, ka marrë në krahë dhe ka përqafuar, 109 qen, 43 mace, 54 pëllumba dhe 11 papagaj. Gjatë mbajtjes në krahë, të këtyre kafshëve dhe shpendëve, Lali Erin, e kanë puthur, 31 prej tyre.

Lali Eri këtë vit, mori pjesë në punimet e 550 kantiereve, që nuk ekzistojnë. Lali Eri ka transmetuar në të gjitha televizionet shqiptare bashkë, 2200 minuta punë LIVE në Tiranë, pa qenë në Tiranë.

Lali Eri gjatë vitit 2017, ka botuar në portalet e paguara prej tij, 21,111 lajme dhe njoftime të ndryshme. Lali Eri martoi në tarracën e bashkisë, një numër të madh por të papërcaktuar qytetarësh…

Këtu gazetarja e njohur, e ndërpreu leximin e deklaratës, tip motivacioni dhe ja hodhi letrën në fytyrë të çmendurës N, e cila e tmerruar ja dha vrapit, drejt hanit perandorak “Rogner”…

/TPZ.AL/

More in TEJ E KETEJ
E çmendura N, bisedë dhe intervistë me avokat Ngjelën

  Diversitet i madh, diversitet i madh! – bërtiste e çmendura N e kryeqytetit, dje rreth orës një në mesditë,...

Close