Malltezi: Ju tregoj aferën korruptive me inceneratorin e Fierit (Dokumenta+Video)

Kreu i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” zbuloi një skandal me inceneratorin që pritet të ndërtohet në Fier. Nëpërmjet një dokumenti të bërë ekskluzivisht publik në emision, Malltezi tha se koncesioni i inceneratorit të Fierit është 28 milion euro, ndërkohë që përfituesit e këtij inceneratorit kanë paguar vetëm 15 milion euro për ndërtimin e tij.

Malltezi publikoi kontratën mes Integrated Technology Ëaste Treatment Fier dhe Ministrisë Mjedisit, me vlerën e 4.516.621.316 lekë (afërësisht 28 milion euro) ndërkohë në pikën e 3 të kësaj kontrate e nënvizuar edhe me të verdhë, shihet që kompania që ka marrë koncesionin me aksioner Klodian Zoto, ka lidhur një kontratë me “Energy Recuperator” s.p.a në datën 10 nëntor 2016, për blerjen e impiantit të përpunimit të plehrave dhe prodhimit të energjisë, me vlerë 15 milion euro.

Pra, koncesionari ka përfituar direkt 13 milion euro, nga taksapaguesit shqiptar në këtë aferë të pastër korruptive. Kjo ngre një pikëpyetje të madhe, se përse duhej kontraktuar një kompani shqiptare duke i dhënë 28 milion euro dhe nuk kontraktoi direkt kompaninë e huaj që merret me ndërtimin e inceneratorëve dhe që e ndërtonte për një kosto shumë më të ulët, prej 15 milion euro.

“Këto afera rrotullohen veç rreth e rrotull dy personave që dalin si bedel, për të mbrojtur një aferë të madhe korruptive. Urdhëro ku e ke kontratën e Fierit, urdhëro se si brenda tre muajsh, kjo qeveri i jep dikujt, një bedeli të ministrit 13 milion euro. Urdhëro ku e kemi! Me datë 24.10.2016, lidhur kontrata me zotin Zoto dhe qeverisë. Merr koncesion 28 milion euro. Pra, shteti i jep 28 milion euro.” – shprehet Malltezi në emisionin “Të Paekspozuarit”.