X

E çmendura N, bisedë me Lulin për PD-në dhe të larguarit

 

E çmendura N e kryeqytetit, sot rreth orës 15:00, bëri një parakalim të zhurmshëm, në bulevardin “Stalin”, duke bërtitur disa togfjalësha gjysmë të kuptimtë, të përzierë me emra politikanësh dhe vajzash shqiptare, të zhveshura dhe të vetëshpallura si këngëtare.

Në orën 16:00, si zakonisht, ajo hyri në hanin perandorak “Rogner”, u ul në sallën ku zhvillon intervistat dhe vetëm pas 22 minutash, përballë saj u shfaq kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

– Na fal o e çmendur për vonesën, se ky Edi Rama, ky narkotrafikant i pafytyrë, nuk na lë të marrim as frymë!

– Kot kërkon falje, se ti njeri i vonuar je në përgjithësi, kryetar i dashur. Por meqenëse e kemi intervistën tonë të parë, çfarë ke dëshirë të të pyes si fillim?

– Pyet çfarë të duash o e çmendur. As nuk dua t’ja di ç’pyetje bën ti. Unë përgjigjet, ti pyetjet.

– Atëherë, pa humbur kohë fillojmë, – tha e çmendura N, si dhe kush të zbuloi si talent për politikën e lartë?

– Doktori më zbuloi o e çmendur. Vetëm ai di të bëjë zbulime të tilla, ku i zbuluari nuk duket, por e sheh vetëm ai, që i duhet.

– Nuk e kuptoj?! – u habit e çmendura N.

– Sigurisht, që me këtë shkallë mentale që ke, ti nuk ke si ta kuptosh. Siç e shikon nga jashtë, unë jam një njeri që të merr në qafë. Kur më rrëmbeu doktori, Ilir Meta përshembull, u bë shumë xheloz. Si s’gjeta edhe unë një si ky? – tha për mua Se ti e di, si karafil, unë të marrë në qafë o e çmendur.

Shkurt që ta kuptosh ti, unë, Lulzim Basha, në kohën e duhur u gjeta në vendin e duhur. Doktorit moj e çmendur, i duhej një njeri që t’i jepte partinë me çdo kusht, në mënyrë që ta kishte përsëri vetë. Është si një lloj adoptimi politik, si të thuash. Nuk ka gjë më të vështirë, që të gjesh një njeri me të dhënat e mija. Vetëm doktori ka mundësinë të shohë brenda meje.

Si njeri me këto vlera, mua, në fillim, më ka zbuluar vajza e doktorit, Argita. Punonim në Kosovë bashkë…

– Po si e kuptoi Argita, që ti ishe njeriu i duhur?

– Po të jesh afër meje, mjafton pak inteligjencë dhe e kupton shumë shpejt, o e çmendur.

Ja përshembull, ti e di sa formalist jam unë dhe kjo më mban në këmbë. Në Kosovë, çdo ditë shkoja në punë me kravatë. Ndonjëherë e mbaja kravatën edhe në gjumë dhe e di kur e hiqja apo jo? Vetëm në ato raste, kur shefi im dhe i Argitës, nuk e kishte vendosur kravatën, se njeri është edhe ai i shkretë. Sapo e konstatoja, që shefi s’kishte kravatë, unë menjëherë futesha në banjë dhe e hiqja kravatën nga qafa ime.

– S’ka mundësi, – u habit e çmendura N.

– Ka mundësi o e çmendur, ta them unë që ka. Unë kurrë nuk i jam shfaqur shefit tim si superior. Qoftë edhe me rastin e kravatës. Kjo është Shqipëria, moj vajzë e çmendur. Vetëm këtu të jepen mundësi të pakufijshme. E përfytyron dot ç’do të isha unë sot pa këtë cilësi? Një hiç.

Argita në fillim dhe pastaj doktori i shkretë, kur ma kuptuan këtë cilësi, më lanë të gjithë pasurinë dhe trashëgiminë e tyre, PD-në. Dhe unë jam i detyruar t’jua ruaj si sytë e ballit.

– Po mirë, – ndërhyri e çmendura N, si e përzure të gjithë partinë dhe grupin parlamentar, me një të rënë të lapsit? Edhe doktori i shkretë, që s’ka lënë njeri pa përzënë në 20 e ca vjet, nuk e ka patur këtë guxim.

– Tani, mbaje për vete o e çmendur, doktori nuk kishte si të çuditej, sepse e ndërtoi vetë këtë skemë.

Lulzim, – më tha, po nuk i larguam para zgjedhjeve, ata do të heqin ty pas zgjedhjeve. E dinte i shkreti, si një e një që bëjnë dy, që këto zgjedhje ne do ti humbnim thellë. Këtu e kuptova edhe unë që do t’i humbisnim zgjedhjet, sepse o e çmendur, këtë mbaje konfidenciale, nuk bëra asnjë punë partie në këto zgjedhje. Në rrethe jo e jo, po as në Tiranë. Ti e kupton çfarë mund të bëja unë, kur në krye të punëve është ai vetë. Pastaj, ai më ka zgjedhur mua për këtë punë, që të mos bëj asnjë punë.

Si jemi me zgjedhjet, çfarë t’ju them ndonjë gjë? – e pyesja ndonjëherë para konferencave të shtypit, – dhe ai më thoshte “Jemi shumë mirë Lulzim, jemi shumë mirë! Thellë nuk fitojmë dot, se Noriega ka kanabisin, por jemi shumë mirë”. Kështu është doktori, ai gjithmonë kemi fituar thotë.

– Po mirë, a i takove këta të larguarit? Si j’ua argumentove largimin?

– Po si ti takoja o e çmendur? Ç’tju thosha? Bashkë me doktorin bëmë listën e të larguarve dhe kaq.

– Me kë e patët më të vështirë, – pyeti e çmendura

– Me Jozefinën o e çmendur. Nuk kishim asnjë argument demokratik, nga këto që përdorim ne. Doktori pati dhimbje të madhe për këtë rast, por interesi i partisë dhe siguria ime personale si kryetar, ja hoqën dhimbjen. Vështirë ishte shumë por vepruam…

– Po me të tjerët?

– Shumë e thjeshtë. Genc Rulin dhe Boden i caktuam si hajdutë dhe nuk e kishim dhe aq keq. Atë Astrit Patozin, siç e dini, ishte mik i ngushtë i Sokol Olldashit. Për Majlinda Bregun, hapëm fjalë në rrethet poshtë, se ka mardhënie me Edi Ramën.

– Çfarë mardhënie, zoti kryetar?
– Mardhënie seksiste o e çmendur, ç’mardhënie tjetër mund të kenë këta të dy? Mund të kenë këta mardhënie mendore? Dihet tani, që ky Rama është pak me moral të dyshimtë dhe ndryshe nga ne të djathtët, ka ngacmueshmëri edhe në zonën tonë, djathtas.

– Uaaaah më çudite, tha e çmendura. Po këta deputetët e rinj që ke zgjedhur, si duken?

– Mblidhe të paktën njëherë mendjen o e çmendur, ç’thua kështu?! Këta që ka zgjedhur doktori thuaj. Thuaj ç’të duash, por doktor Berisha është gjenial. Me prurjen e të rinjve, e zgjidhi përfundimisht edhe punën time. Të gjithë këta që ka zgjedhur, janë në një nivel, rrafsh. As bien, as ngrihen, as ulen, as rriten. Deri në vdekje kështu do jenë, rrafsh…

Lul, tani je rehat, – më tha doktori. Të kam ba, një grup, që as sheh, as dëgjon. Të shpëtova nga të gjitha sikletet. Tani je si veshka në mes të dhjamit. Budallenj rreth e rrotull, ske nevojë as të rritesh, as të zhvillohesh vetë. Këtë merak kishe, ta zgjidha…

– Po zgjedhjet, me kë do t’i fitoni zgjedhjet?!

– Ohu o e çmendur, sa pyetje ke ti, – tha Basha dhe u largua pa përgjigje.

/TPZ.AL/ 

More in TEJ E KETEJ
E çmendura N, intervistë me Edi Ramën për oligarkët

  E çmendura N e kryeqytetit, sot në orën 16:00, zhvilloi në një nga sallat e hanit perandorak “Rogner”, këtë...

Close