Rama emëron drejtor ish-shefin e kabinetit të Haxhinastos, i akuzuar për vdekjen e dy fëmijëve

Ish-drejtori i kabinetit të Edmond Haxhinastos, i shumëpërfoluri Krislen Keri nëpërmjet një konkursi thuajse fiktiv dhe të pabesueshëm pritet të marrë detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Aviacionit Civil.

Sipas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës është zhvilluar faza e dytë e proçedurës së vlerësimit të kandidatëve për vlerësimin e kandidatëve për postin e drejtorit ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil.

Një konkurs i stisur që ka nxjerrë fitues deri tani të paktën ish-shefin e kabinetit të Edmond Haxhinastos, Krislen Keri.

Për ata që nuk e njohin le tju kthejmë pak kujtesën: Në 7 maj të vitit 2016 dy fëmijë të moshës 3 dhe 5 vjeç humbën jetën nga një aksident tragjik në aksin rrugor Kavajë-Rrogozhinë.

Një mjet u përplas në mënyrë tragjike me trafikndarësen e cila ishte ndërprerë në vendhyrjen e një karburanti. Në atë kohë mediat raportuan se kjo pikë ishte me emrin e shoqërisë PIENVIS me pronarë Pilo Kërin, ish-deputet socialist dhe më pas mbështetës i LSI-së.

Trafikndarësja ishte hequr, u tha në atë kohë pas ndikimit të djalit të Pilos, Krislenit i cili ishte edhe shefi i kabinetit të Haxhinastos, por edhe ky pozicion kishte debate në atë kohë pasi mediat raportonin se ai mbante dy detyra, atë të shefit të projekteve dhe të shefit të kabinetit.

Detyrën e fundit Krislen Keri e mbajti për tre vite gjatë kohës kur ministria drejtohej nga Edmond Haxhinasto.

Mediat thanë se ka qënë ndërhyrja e Krislenit te Autoriteti Rrugor që ka bërë të mundur heqjen e trafikndarëses në një segment për të mundësuar hyrjen e automjeteve në një karburant të babait të tij. Heqja e kësaj trafikndarëses rezultoi fatale, ku për pasojë humbën jetën dy fëmijë.

Pilo Keri vazhdoi i qetë punët e tij, Krisleni do vazhdojë i qetë detyrën e tij tani në krye të Aviacionit Civil, dy fëmijë humbën jetën dhe gjithçka u mbyll me arrestimin dhe gjykimin e dy drejtuesve të nivelit të ulët në ARRSH.

Mediat folën dhe raportuan fort, Krisleni në atë kohë ishte i shumë akuzuar, por në Shqipëri çudia më e madhe zgjat tre ditë edhe kur merr dy jetë fëmijësh. Përgjegjësia ngeli te drejtorët, ndërhyrja e Krislenit dhe karburanti i Pilo Kerit ngelen të pafajshëm.

Sot jetët e dy fëmijëve ulërasin dhe bërtasin nga qielli. Ata kërkojnë drejtësi, por kush ta japë? Edi Rama që emëron Krislenin në krye të Aviacionit Civil?/Citynews/